Murati: Kosova, njëri nga aleatët më të mirë të ShBA-së
Presidenti amerikan, Donald Tramp...

Presidenti amerikan, Donald Tramp, me një urdhër ekzekutiv ka ngrirë ndihmat e huaja për 90 ditë për të gjitha vendet, përveç Izraelit dhe Egjiptit.
Nga ky vendim është prekur edhe Republika e Kosovës, por ministri i Financave, Hekuran Murati, thotë se nuk bëhet fjalë për ndonjë mbështetje të madhe financiare, e cila do të krijonte ndonjë hendek financiar.
Murati njëherit thekson se Kosova dhe shqiptarët janë populli më pro amerikan në botë.
“Ka qenë një politikë, e cila është marrë për ta rishqyrtuar mbështetjen financiare për shtetet tjera. Nuk di nëse ka ndonjë mbështetje voluminoze apo me vlerë financiare të lartë, e cila do të krijonte ndonjë hendek, duhet të shqyrtoj me stafin nëse kemi pranuar diçka. Gjithsesi ne do të vazhdojmë bashkëpunimin, siç e kemi bërë deri më tani dhe shpresojmë pas rishqyrtimit dhe rivlerësimit të konstatohet ajo që ka qenë çdoherë, që Kosova është njëri nga aleatët më të mirë të ShBA-së dhe populli shqiptar është populli më pro amerikan në botë, që kanë konstatuar edhe vet presidentët amerikanë.”, - deklaroi ministri i Financave i Republikës së Kosovës, Hekuran Murati.
Urdhri ekzekutiv i presidentit Tramp për t’i ngrirë ndihmat e huaja, përveç Kosovës, ka prekur edhe shtetet tjera të rajonit, përfshi Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. (Gyltene Sinani, TVM2)
