Maqedoni
Protestë pas vdekjes së 22-vjeçares, qytetarët kërkojnë drejtësi dhe përgjegjësi
31.01.2025 15:53
Po vendosin lule pikërisht në vendin ku u përplas për vdekje studentja 22-vjeçare, Frosina Kulakova...

Po vendosin lule pikërisht në vendin ku u përplas për vdekje studentja 22-vjeçare, Frosina Kulakova, mbrëmjen e së mërkurës. Të tubuar mes dhimbjesh e lotësh dhanë mesazhin për të rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve për përgjegjësinë në trafik, si dhe për përgjegjësi ndaj autorit, i cili edhe pse fillimisht u privua nga liria, ka tentuar që përmes avokates së tij të lirohet nga paraburgimi.
Protestuesit bllokuan bulevardin “Aradhat Partizane”. Kërkojnë që autoritetet të hapin sytë. Pyesin se edhe sa qytetarë duhet të viktimizohen që të ngrihet vetëdijesimi dhe të ndërmerren masa nga ana e autoriteteve.
“Duhet shteti njëherë e përgjithmonë të ndërmarrë diçka, asgjë nuk funksionon, në veçanti për sigurinë e qytetarëve.”, - tha një qytetar.
“Nuk mund që i riu të mbetet i lirë, në këtë rast pa leje për vozitje, të vozisë 130 km në orë dhe të mos sanksionohet.”, - tha një qytetar tjetër.
“Këtu është vendbanim nuk është vend i hapur për të vozitur aq shpejt, ka vende ku është e lejuar shpejtësia.”, - u shpreh një qytetar.
“Aksidente çdo ditë, sa janë fajtorë vozitësit, aq janë edhe këmbësorët. Duhet të vendoset rend, rendi vendoset vetëm dënim tek ne.”, - u shpreh një qytetar tjetër.
“Nuk ka polic, tani janë mbledhur, mirëpo nëse i sheh rrugët, asnjë polic nuk ka.”, - theksoi një qytetare.
“Nuk ndjehemi aspak të sigurt, pasi shpejtojnë shumë, nuk shohin, tentojnë të kalojnë në të kuqe, prandaj duhet të kemi shumë kujdes nëpër rrugë.”, - theksoi një qytetare tjetër.
Protesta dha një mesazh të qartë për nevojën e llogaridhënies dhe ashpërsimin e politikës penale për raste të tilla. Kujtojmë se në bulevardin “Aradhat Partizane”, edhe në të kaluarën kanë ndodhur aksidente të shumta, të cilat kanë përfunduar me fatalitet. Tre vjet më parë, në të njëjtin bulevard humbi jetën një vajzë 24-vjeçare nga Radovishi.
ARMEND MURSELI
