Maqedoni
Bojkoti i marketeve, Mickoski me mirëkuptim ndaj konsumatorëve
31.01.2025 16:11
Bojkotimi i marketeve ka gjetur mbështetjen gjithëpërfshirëse të partive politike...

Bojkotimi i marketeve ka gjetur mbështetjen gjithëpërfshirëse të partive politike, por edhe të institucioneve shtetërore. Kryeministri Mickoski, duke përkrahur qytetarët, thotë se zgjidhja duhet të kërkohet në gjetjen e prioriteteve që i vendosin së bashku Qeveria, konsumatorët dhe biznesi.
Pranon se çmimet e produkteve, barnave apo pajisjeve teknike në vendin tonë janë dukshëm më të mëdha se tek tregjet fqinje.
“Kur t’i parashtroni të gjitha, atëherë duhet vënë gishti në kokë dhe si Qeveri të mendoni se çfarë po bëni dhe si njeri është e logjikshme të shpreh mirëkuptim për veprimin e qytetarëve. Nuk mundem unë që për tërë këtë që e kam si analizë si input, të rri anash, të vështroj dhe të mbikëqyr në proces si i vetëm. Patjetër të shprehim mirëkuptim dhe unë këtë e bëra.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Filipçe: Qeveria të marrë masa, mbështetja s’duhet
Ndërkohë opozita maqedonase kërkon nga Qeveria që të angazhohet në ndërmarrjen e masave konkrete dhe jo ta mbështesë revoltën e qytetarëve.
“Tek ne me të vërtetë shqetëson moskokëçarja dhe mosinteresimi i Qeverisë për të ndërmarrë ndonjë masë. Madje edhe me një cinizëm i mbështesin qytetarët të protestojnë, kurse në fakt, protesta e qytetarëve për çmimet e larta dhe për marketet duhet në realitet të drejtohet ka Qeveria, sepse ajo është përgjegjëse për formimin e çmimeve, është përgjegjëse që të kujdeset për qytetarët që të mos përjetojnë këto rritje të çmimeve.”, - theksoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
VLEN: Kemi përgjegjësi, qytetarët kanë të drejtë
Edhe VLEN-i, me përkrahje të qytetarëve në këtë bojkot. Thonë se si parti në pushtet kanë ndërmarrë masa.
“VLEN-i kupton nevojën e patjetërsueshme të qytetarëve për ta realizuar këtë bojkot. Ne kuptojmë peshën dhe përgjegjësinë tonë si koalicion VLEN, që jemi pjesë e pushtetit dhe kemi përgjegjësi institucionale. Kemi miratuar masa për të mbrojtur standardin e jetesës së qytetarëve duke ngrirë marzhën e produkteve ushqimore bazë në mënyrë që të mos çojë në rritje enorme të çmimeve ku nuk ka bazë për atë dhe në këtë drejtim mirëpresim iniciativat e tilla dhe qytetarët me aktivitete të tilla.”, thonë nga VLEN-i.
Nga BDI kanë kërkuar marrjen e masave urgjente që do të ndalnin rritjen e çmimeve, si dhe dorëheqjen e ministrit të Ekonomisë. Thirrjet për bojkot të marketeve u përhapën në mediat sociale një javë më parë në Kroaci, në Bosnjë dhe Hercegovinë, për t’u shtrirë më pas në vendet e rajonit dhe arriti edhe në Maqedoninë e Veriut.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
