Maqedoni
Bojkoti i blerjes në markete, Qytetarët: Çmimet janë të papërballueshme
31.01.2025 15:47
“Bojkoto marketet!” është thirrja, e cila po qarkullon në rrjetet sociale...

“Bojkoto marketet!” është thirrja, e cila po qarkullon në rrjetet sociale nga ana e qytetarëve, të cilët vendosën që sot të bojkotojnë të gjitha marketet e vendit në shenjë revolte për pakënaqësinë e tyre për çmimet e larta në treg.
Ky bojkot ka për qëllim të dërgojë një mesazh te autoritetet dhe afaristët për çmimet e papërballueshme nga ana e qytetarëve, që ka shkaktuar revoltën e tyre për bojkot. Këtë nismë e kanë përkrahur edhe organizatat e ndryshme qytetare, kryeministri, Hristijan Mickoski, dhe partitë politike.
Qytetarët e anketuar thonë se e mbështesin thirrjen për bojkot dhe janë të gatshëm për ta vazhduar bojkotin edhe në ditët në vijim.
“Shumë, shumë shtrenjtë janë produktet me të vërtetë. Nëse vazhdohet me bojkot do t’i përmbahemi edhe ne, sepse shumë shtrenjtë janë produktet në dyqane.”, - tha një qytetar.
“I bojkotuam ose jo, prapë gjendja është njësoj, nuk shpresojmë asgjë. Çmimet janë flakë dhe zjarr, sidomos për ne pensionistët janë shumë të larta. Do të bojkotonim edhe më tej nëse vazhdohet. Shtetin e kemi të tillë, edhe nëse bojkotojmë është e kotë.”, - tha një qytetar tjetër.
“Në përgjithësi të gjitha produktet që janë në market kanë çmime shumë të larta.”, - u shpreh një qytetar.
“Të larta janë çmimet, si s’janë. Ta shohim pas bojkotit si do të bëhet. E përkrahim.”, - u shpreh një qytetar tjetër.
“Jo vetëm unë personalisht, por edhe vetëdija qytetare duhet të jetë në nivel, sepse jeta është shumë e shtrenjtë, ndërsa të ardhurat janë minimale. Andej Qeveria duhet të brengoset për qytetarët, e jo dikush të marrë 2.000 euro, e dikush të marrë pagë minimale.”, - theksoi një qytetar.
“Me pensionin çka të marrim, ilaçe apo ushqim, çka më parë?! Çmimet të larta janë. Një djathë s’mundesh ta marrësh ta hash.”, - theksoi një qytetar tjetër.
Pronarët e marketeve dhe shitësit: Çmimet nuk varen nga ne, por nga furnizuesit
Pronarët e marketeve dhe shitësit thonë se vërehet rënia e blerësve, për shkak të bojkotit, por ata theksojnë se çështja e çmimeve nuk varet nga ata, por nga furnizuesit.
“Kemi një frekuencë të zvogëluar, por nuk mund të them se ka pasur ndonjë ndikim shumë të madh. Poshtë - lartë është lëvizja e njëjtë. Çmimet, normal janë të larta, nuk them se jo, mirëpo nuk varet nga ne, varet nga furnizuesit tanë, ne varemi prej tyre. Kur i rrisin ata çmimet, ne jemi të detyruar edhe ne t’i rrisim ato. Gjithçka është shtrenjtuar, rryma, qiraja, të gjitha gjërat. Nuk jemi ne faktori i vetëm dhe kryesor për rritjen e çmimeve, direkt jemi të varur nga furnizuesit.”, - theksoi një pronar i një marketi.
“Nuk ka qenë ndonjë mungesë e madhe konsumatorëve. Është vërejtur pak, por jo shumë. Nuk janë edhe çmimet shumë të larta, por vetëm varet prej firmave nga cilat i konsumojnë, që marrim mall prej tyre.”, - u shpreh një shitëse.
OEMVP: Marzha e fitimit nga marketet është 3% deri në 5%
Edhe drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, Durim Zeqiri, thotë se marketet në vend punojnë me një marzhë të fitimit shumë të ulët prej 3 deri në 5%, por inflacioni është i importuar nga jashtë.
“Rritja e çmimeve është një inflacion i importuar dhe nuk ka të bëjë ndoshta me atë se po rriten artificialisht. Nuk e mohojmë se ka raste individuale, të cilat bëjnë keqpërdorime, mirëpo flas gjithnjë në emër të OEMVP-së dhe në emër të anëtarëve të cilët ne përfaqësojmë, kompanitë legjitime të cilat punojnë ndershëm dhe garojnë ndershëm në tregun e lirë të ekonomisë së hapur, ata nuk bëjnë shkelje të tilla. Çmimet nuk varen vetëm nga marzha e blerjes dhe asaj të rishitjes, çmimet varen edhe nga shumë faktorë tjerë operativ. P.sh. kemi qiranë e marketeve, kostot e pagave të punonjësve të tyre, kemi energjinë elektrike, të cilën e kemi ndër më të shtrenjtat në rajon, kemi derivatet dhe konstot tjera operative, si dhe kontributet e larta të pagave skajshmërisht të larta në krahasim me shtetet tjera të regjionit. Kur akumulohen të gjitha në çmimin përfundimtar të produkteve, këto rrisin vlerën e produkteve.”, - deklaroi Durim Zeqiri nga OEMVP.
Këtë shembull për bojkot qytetarët e vendit e morën nga vendet e rajonit, si Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi etj, ku po ashtu pati bojkot të blerjes në markete, për shkak të çmimeve të larta.
FITORE DEMOLLI
