Maqedoni
Qytetarët e Strugës përkrahin iniciativën e bojkotit të marketeve
31.01.2025 16:28
Qytetarët e Strugës i janë bashkuar bojkotit të marketeve si një shenjë pakënaqësie...

Qytetarët e Strugës i janë bashkuar bojkotit të marketeve si një shenjë pakënaqësie ndaj rritjes së çmimeve të produkteve bazë. Kjo nismë ka gjetur mbështetje të gjerë nga qytetarët, të cilët kërkojnë që autoritetet vendase dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut të ndërmarrin hapa konkretë për të ulur çmimet dhe për të lehtësuar situatën ekonomike të qytetarëve.
“Po, si të gjithë i bojkotuam edhe ne. Po, normal që çmimet janë të larta. Mendoj se nuk duhet të jetë një ditë, duhet të zgjasë më shumë, duhet të zgjasë më shumë, jo vetëm një ditë. Mendoj se vetëdija e qytetarëve nuk është në nivelin e duhur, duhet të ketë disiplinë për këtë. Sot nuk do të hyjnë, nesër prapë do vazhdojnë për avazin e vjetër. Për fat të keq, nuk ka gishta Qeveria, nuk merr masa Qeveria. Për qytetarët, nuk është vetëm tek ushqimi, është tek uji, rryma, nafta, ka shumë gjëra që duhet të bojkotohen. P.sh., duhet të merren masa për bojkotin e kazinove. Po për fat të keq, shohim, por duhet të vazhdojmë.”, - tha një qytetar.
“Po, i bojkotojmë.”, - tha një qytetar tjetër.
“Sot nuk kemi blerë asgjë, nuk kemi shpenzuar.”, - u shpreh një qytetar.
“Po, i bojkotojmë normat. Duhet të bojkotohet, sepse çmimet shtrenjtohen dita-ditës. Duhet të zgjasë të paktën dy javë. Është varfëri e madhe.”, - u shpreh një qytetar tjetër.
“Por, duhet të bojkotohet jo për dy orë, por për një muaj. Pastaj ata e dinë vetë se si do të veprojnë. Në këtë rast, shteti duhet të drejtojë çmimet, jo pronarët e marketeve.”, - theksoi një qytetar.
“E njëjta do të vazhdojë siç ka vazhduar, ashtu do të vazhdojë. Unë e përkrah këtë, por nuk mjafton vetëm kjo.”, - theksoi një qytetar tjetër.
“Bojkoti është i mirë, por me të vërtetë çmimet i trefishojnë, i katërfishojnë.”, - tha një qytetar.
“Çmimet janë shumë të larta, ata gënjejnë shumë. Unë marr 8.000 denarë pension, por ujin dhe rrymën nuk i paguaj dot, as ushqimin.”, - tha një qytetar tjetër.
“Normal që do ta përkrah, nuk shkon rendi mirë. Çmimet janë më të ulëta në Zvicër. Ky bojkot është se duhet të ulin çmimet.”, - u shpreh një qytetar.
“Po, po e përkrah. Arsyeja është shtrenjtimi i çmimeve. Duhet të ndërhyjë Inspektorati dhe të marrë masa. Ky është një start që duhet të fillojmë, me këto pensione dhe paga, qytetarët po ikin. Ka ngelur vetëm administrata dhe inspektorët.”, - u shpreh një qytetar tjetër.
“Po i bojkotoj, çmimet shumë të larta, që besoj se popullata jonë nuk i ka rrogat aq të larta për ato çmime, sipas mesatares së pagave.”, - theksoi një qytetar.
“Nevoja ka qenë më e hershme, por u vonuam pak. Këtu në Maqedoni duhet t’i marrë dikush tjetër, po ka sindikata për mbrojtjen e konsumatorëve, por nuk funksionojnë fare. Ata marrin paga, por sa më shumë të zgjasë, aq më mirë. Unë kam qenë ish-kryetar i sindikatës në rajonin e Strugës dhe Dibër, dhe e di se bojkoti dhe protestat janë të nevojshme, patjetër.”, - theksoi një qytetar tjetër.
“Po, kam bojkotuar, sepse çmimet janë shumë të larta.”, - tha një qytetar.
Qytetarët kërkojnë që kjo situatë të mos mbetet një moment kalimtar, por të shoqërohet me veprime konkrete që do të garantojnë uljen e çmimeve dhe mbrojtjen e interesave të konsumatorëve.
FITORE ISTREFI
