Maqedoni
Koncepti për reforma në arsimin e mesëm, Janevska: Afati për sugjerime mund të vazhdohet
31.01.2025 16:45
Sot përfundon afati për dërgimin e propozimeve dhe sugjerimeve...

Sot përfundon afati për dërgimin e propozimeve dhe sugjerimeve për projekt-konceptin për reforma në arsimin e mesëm, që është publikuar në faqen e Byrosë për Zhvillim të Arsimit.
Pas reagimeve nga katedrat dhe institutet, kryesisht nga Fakulteti Filozofik pranë Universitetit "Kirili dhe Metodi", se koncepti zvogëlon përmbajtjen e disa lëndëve të shkencave shoqërore, ministrja, Vesna Janevska, tha se i marrin shumë seriozisht të gjitha deklaratat e bëra nga të gjitha fakultetet dhe se afati për sugjerime mund të vazhdohet.
Krahas diskutimit onlajn të deritanishëm, Janevska tha se do të vazhdojnë në terren për të bërë draft tekstin më të mirë të konceptit, duke theksuar se versioni aktual mund të modifikohet.
“Sigurisht që mund të vazhdohet, sigurisht që ne i marrim shumë seriozisht të gjitha deklaratat e bëra nga të gjitha fakultetet, megjithëse bëhet fjalë kryesisht për Fakultetin Filozofik. E kam thënë tashmë një herë se ky është një projekt-koncept dhe mund të pësojë ndryshime. Ne po vazhdojmë më tej, deri më tani kjo është bërë në mënyrë elektronike, digjitale, do të shkojmë edhe në terren dhe sigurisht do të vazhdojmë të punojmë për përmirësimin e tij.”, - deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
Koncepti për reformat në arsimin e mesëm është përgatitur për të siguruar një sistem arsimor modern, gjithëpërfshirës dhe konkurrues. Dokumenti i propozuar ofron qasje moderne që synon përvetësimin e aftësive praktike, zhvillimin e të menduarit kritik, integrimin e teknologjive digjitale dhe përputhshmërinë me standardet ndërkombëtare arsimore, si dhe zgjedhje më të madhe për studentët, në mënyrë që ata të mund të modelojnë rrugën e tyre arsimore, sipas interesave dhe synimet e ardhshme, kanë njoftuar nga MASh-i.
Janevska njëherit shprehi kënaqësi që koncepti po merr mbështetje të fortë nga të rinjtë, ndryshe nga një pjesë e publikut profesionist.
FLORIJE KAMBERI
