Maqedoni
Kumanovë, marketet pa blerës
31.01.2025 17:02
Edhe në Kumanovë, tërësisht u respektua apeli për bojkotim të marketeve më të mëdha...

Edhe në Kumanovë, tërësisht u respektua apeli për bojkotim të marketeve më të mëdha, për shkak të çmimeve të larta të produkteve të ndryshme ushqimore. Të gjitha marketet e mëdha sot mbetën të zbrazëta. Bojkoti i sotëm u përkrah nga të gjithë, kurse tek qytetarët hasi në jehonë të madhe.
“Shumë të larta janë çmimet, shtrenjtë shumë, me pensionet që i kemi janë çmimet e larta, mezi e kalojmë muajin. Rrogat e pensionet nuk po rriten fare. Duhet patjetër t’i ulin çmimet, për të ndryshuar, sepse ndryshe nuk bën.”, - theksoi një qytetar.
“Çmimet shumë janë të larta, tepër, për standardin që e kemi në RMV shumë janë. Si qytetarë e përkrahim bojkotin, por nuk mendoj që do të ketë ndonjë efekt pozitiv, sepse bojkoti i vërtetë është që mos të hyjë askush në markete, e atëherë ndryshe do të mendonin ata biznesmenët, por prapë se prapë mendoj që shteti i ka fajet.”, theksoi një qytetar.
Apeli për bojkot u përshëndet edhe nga Oda e Zejtarëve të RMV-së, me insistimin e të cilëve nëpër disa furra, buka sot kushtonte për 10 për qind më lirë se sa ditëve tjera.
“Ne si Odë e Zejtarëve e përkrahim bojkotin dhe apeloj që i njëjti të vazhdojë, pasi që njerëzit dhe ekonomia nuk kanë mundësi t’i përballojnë çmimet e larta. Njëkohësisht apelojmë që të ndihmohet ekonomia lokale, por edhe zejtarët të cilët mund të zhvillohen edhe më tej.”, - theksoi kryetari i Odës së Zejtarëve të RMV-së, Agron Fazliji.
Qytetarët, por edhe politika dhe aktorët tjerë të përditshmërisë në vendin tonë, e përkrahën bojkotin e sotëm. Nga nesër pritet të shihet se a pati efekti i njëjti në uljen e çmimeve. Nëse jo, qytetarët sërish do të organizohen për ulje të më tepër çmimeve të produkteve ushqimore nëpër marketet e vendit.
FATLUM AQIFI
