Maqedoni
Tetovë, pak qytetarë kanë bojkotuar marketet
31.01.2025 17:20
Thirrjes nëpër rrjete sociale për të bojktuar marketet shkaku i çmimeve të larta...

Thirrjes nëpër rrjete sociale për të bojktuar marketet shkaku i çmimeve të larta, jo se i janë përgjigjur pozitivisht të gjithë qytetarët e Tetovës. Në disa pika që kemi vizituar, ne kemi parë se shumë qytetarë vërshojnë marketet si ditët normale. Ndërkohë disa qytetarë të anketuar nga TVM2, kanë theksuar se çmimet janë tejet të larta.
“E pash disa që futen në market, por ne duhet të jemi të disiplinuar. Evropa kur vendos diçka, e respekton, ne nuk e respektojmë. Po duhet, është një paralajmërim se duhet të rregullohen çmimet se pa kurrfarë kontrolli çmimet rriten. Qeveria duhet të vendosë, ajo e mbështet, e nga ana tjetër ajo duhet vetë t’i korrigjojë. Ajo ishte edhe para vitit të ri edhe pas për disa artikuj, por ajo nuk u respektua, e përse, nuk e di. Unë sa pash, normalisht hyjnë nëpër markete. Unë mbrëmë bisedoja me shoqen se në Tetovë nuk respektohet. Kjo është një disiplinë qytetare.”, - tha një qytetar.
“Unë mendoj se bojkoti nga qytetarët mbahet një përqindje shumë e ulët. Pak është informimi dhe pak qytetarët nuk merren shumë, por janë të kënaqur me këtë Qeveri, me këto çmime e nuk e kanë hallin e krizës. Qeveria u ka plotësuar dëshirat.”, - tha një qytetar tjetër.
“Çmimet janë katastrofë, çmimet sipas rrogës, sipas standardit çmimet janë më të shtrenjta se në Perëndim. Duhet të bojkotohen krejt, por ne nuk jemi kroat, ne jemi njerëz pa kulturë. Me çmimet nuk jemi të kënaqur, me 250 euro rrogë, dikush me ndihma sociale, dikush me pension, nuk mund të dalin për të ngrënë, e jo për shpenzimet tjera.”, - theksoi një qytetar.
Qytetarët kërkojnë nga Qeveria, që t’i rritin masat e kontrolleve, kryesisht Inspektorati i Tregut të rritë kontrollet nëpër markete, me qëllim që t’i ulin çmimet të cilat enorm janë të larta për disa produkte.
VISAR SADIKI
