Botë

Aksidenti ajror në ShBA, vazhdojnë hetimet për zbardhjen e rastit

31.01.2025 18:05

Vazhdojnë hetimet për të zbuluar shkakun e përplasjes në ajër të një avioni pasagjerësh...

Vazhdojnë hetimet për të zbuluar shkakun e përplasjes në ajër të një avioni pasagjerësh dhe një helikopteri të Forcave të Armatosura pranë Uashingtonit. Nuk ka asnjë të mbijetuar mes 60 pasagjerëve dhe 4 anëtarëve të ekuipazhit në fluturimin e kompanisë “American Airlines”.
 
Të dy mjetet ajrore ranë në lumin Potomak, afër aeroportit kombëtar “Reagan”, në dalje të Uashingtonit, në qytetin Arlington, të Virxhinias. Operacionet e kërkimit po vazhdojnë. Është aksidenti ajror më vdekjeprurës në ShBA, që nga viti 2001.
 
"Është një ditë shkatërruese për familjen tonë të “American Airlines”. Aksidenti tronditës i American Eagle Flight 5342 rëndon rëndë linjën tonë ajrore, industrinë dhe botën. Bordi i Sigurisë së Transportit është tani në krye dhe po udhëheq hetimet dhe ne jemi mirënjohës për udhëheqjen e tyre, pasi procesi i hetimeve ka shkuar përpara, por disa gjëra mund t'i ndaj në këtë moment.”, - deklaroi Ceo i “American Airlines”, Robert Isom.
 
Të paktën 28 trupa u nxorën nga ujërat e akullta të lumit Potomak, pasi helikopteri mesa duket fluturoi në trajektoren e avionit, ndërsa aeroplani po bënte uljen pranë aeroportit “Ronald Reagan” në Uashington. Në aeroplan gjendeshin edhe pjesëtarë të Klubit të Patinazhit të Bostonit.
 
"Ne humbëm anëtarët e familjes sot. Klubi i patinazhit të Bostonit është një familje e madhe, dhe megjithëse të gjithë kemi trajnerë të ndryshëm, por ata për ne ishin si prindër të dytë. Nuk është fare e lehtë për ne, gjërat nuk do të jenë njësoj, por do të mbeten gjithmonë në kujtimet tona.", - theksoi Misha Mitrofanov nga Klubi i Patinazhit të Bostonit.
 
“Ishte shumë i dhënë pas këtij sporti dhe ndjehej si në shtëpi. Përpiqem ta përmbaj veten për humbjen. Ishin shumë të dashur dhe të gjithë njerëzit rreth tyre i admironin për mirësinë.”, - u shpreh babai i viktimës (Spenser Lejn) dhe bashkëshorti i viktimës (Kristin Lejn), Daglas Lejn.
 
Gjatë konferencës për shtyp, presidenti Tramp kërkoi që të mbahej një minutë heshtje për viktimat dhe tha se çdo burim në nivel lokal, shtetëror dhe federal ishte vënë në dispozicion të operacionit të kërkimit.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU