Maqedoni
Mjekët e Klinikës “Kozle” kërkojnë shkarkimin e u.d. drejtoreshës, Simonovska
31.01.2025 17:43
Kolegjiumi mjekësor pranë Klinikës për Sëmundje Respiratore “Kozle”...

Kolegjiumi mjekësor pranë Klinikës për Sëmundje Respiratore “Kozle” kërkojnë shkarkimin e ushtrueses së detyrës - drejtoreshë, Karolina Simonovska, nga detyra, pasi sipas tyre e njëjta në mënyrë të përshpejtuar dhe të padrejtë ka shkarkuar nga puna mjeken, Veselinka Mitrovska-Josifova.
Ato përpos shkarkimit të drejtoreshës, kërkojnë edhe kthimin në punë të mjekes së shkarkuar, e cila ishte specialiste e ORL-së dhe bronkoskopisë. Kolegjiumi i spitalit ka dorëzuar letër deri tek ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, dhe kryeministri, Hristijan Mickoski.
Në letër shkruan se institucionet kompetente duhet t’i japin fund arbitraritetit të ushtrueses së detyrës - drejtoreshë, Simonovska, e cila sipas tyre do t’i japë fund diskreditimit që ajo po i bën spitalit. Arsyeja e shkarkimit është se mjekja ka qenë fizikisht e pranishme në sallën e bronkoskopisë kur është bërë një ndërhyrje për të hequr trupin e huaj nga rrugët e frymëmarrjes së një fëmije.
“Skandali i fundit që tronditi Klinikën, mjekët dhe pacientët është se doktoresha, Veselinka Josifovska-Mitrovska, është shkarkuar në mënyrë të paskrupullt nga puna. Në vendimin e largimit nga drejtuesit, ajo akuzohet se ka qenë fizikisht e pranishme në kabinetin e bronkoskopisë.”, thuhet në letrën e Kolegjiumit.
Por, nga klinika kanë theksuar:
“Publiku duhet të dijë se çdo sjellje mjekësore jashtë etikës mjekësore, veçanërisht kur kryhet një ndërhyrje kirurgjikale ndaj një të mituri, duhet të sanksionohet në mënyrë që të mos ketë pasoja të rënda për të cilat më pas çdo reagim do të ishte i vonuar.”, thuhet në njoftimin e Universitetit.".
Por, në Ministri kishin ardhur edhe familjarë të mjekes së shkarkuar nga puna, të cilët kërkuan ndihmë nga ministri, Taravari. Por, i njëjti tha se do të analizohen të gjitha rrethanat.
“Unë mbrëmë kam pranuar një letër, ku jam informuar se është shkarkuar nga puna, por më jepni kohë.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
Muajin e kaluar, tridhjetë mjekë nga Klinika për Sëmundje të Frymëmarrjes në Kozle i kanë shkruar një letër kryeministrit, Hristijan Mickoski, dhe ministrit të Shëndetësisë, Arben Taravari, duke kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të drejtoreshës së spitalit, Karolina Simonovska, për shkak të, sipas tyre, arbitraritetit.
FITIM KRYEZIU
