Maqedoni

Shëndetësi, Mickoski: Rrisim buxhetin për këtë fushë

01.02.2025 16:39

Kryeministri Hristijan Mickoski siguron ngritjen e shërbimeve shëndetësore për qytetarët...

Kryeministri Hristijan Mickoski siguron ngritjen e shërbimeve shëndetësore për qytetarët dhe kjo sipas tij do të vihet në funksion përmes rritjes së buxhetit në fushën e shëndetësisë.
 
“Nëse vitin e kaluar buxheti ishte diku rreth 27 miliardë denarë, tani ai është diku rreth 33.2 miliardë denarë ose rreth 540 milionë euro, që do të thotë se institucionet publike shëndetësore do të marrin 100 milionë euro më shumë në krahasim me atë që ishte në buxhet vitin paraprak. Jam i bindur që më në fund në shëndetësi qytetarët do të marrin shërbimet që meritojnë.”, u shpreh Kryeministri Hristijan Mickoski.
 
LSDM: Shënetësia në kaos, rrezikoni edhe fëmijët
 
Socialdemokratët kërkojnë nga pushteti të vendos rend në shëndetësinë publike ndërsa vazhdojnë të kërkojnë dorëheqjen e Simonovskës nga klinika e Kozles. 
 
“Pas 40 vitesh funksionimi i të vetmit repart të bronkoskopisë në vend, shumë i rëndësishëm për shëndetin e fëmijëve, është vënë në pikëpyetje vetëm për shkak të arbitraritetit të drejtoreshës së Klinikës në Kozle, Karolina Simovska, të cilën Taravari dhe DPMNE e mbrojnë me këmbëngulje Skandali i fundit në këtë Klinikë është me doktoreshën Josifova, mjeke me përvojë 27 vjeçare.”, tha Simona Cvetanovski nga LSDM.
 
VMRO: Keni keqpërdorur klinikat, barnat
 
Ndërkohë VMRO-ja akuzon LSDM-në për keqpërdorim në shëndetësi gjatë qeverisjes së tyre, sidomos në klinikën e dermatologjisë për sëmundjet e rralla.
 
“Shihet se në udhëheqësinë e LSD-së nga klinika e dermatologjisë nuk kanë mbajtur llogari për barnat e shtrenjta që i ka dhënë dhe as që ka pasur regjistër adekuat e as metodologji adekuate. Enti Shtetëror për Revizion ka konstatuar keqpërdorim në shumë fusha ndërsa Prokuroria Publike hesht.”, tha Petar Markov nga VMRO-DPMNE.
 
Për VMRO-në në kohën e LSDM-së  në shumë klinika  nuk kanë pasur menaxhim me barnat dhe nuk është ditur se ku po derdhen paratë e qytetarëve.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU