Botë

Armëpushimi në Gaza, Hamasi liron tre pengje të tjera izraelite

01.02.2025 17:36

Hamasi dorëzoi tre pengje izraelitë, në fazën e fundit të armëpushimit të arritur me Izraelin..

Hamasi dorëzoi tre pengje izraelitë, në fazën e fundit të armëpushimit të arritur me Izraelin. Ofer Kalderon, një shtetas franko-izraelite dhe Yarden Bibas iu dorëzuan zyrtarëve të Kryqit të Kuq në qytetin jugor të Gazës, Kan Jounis, përpara se të transferoheshin në Izrael. Amerikano-izraeliti Keit Sigel u dorëzua veçmas disa orë më vonë në portin detar të qytetit të Gazës. Kalderon u dërgua me helikopter në një spital në Izraelin jugor. Familja e tij ndoqi me gëzim në televizion njoftimin për lirimin e tij.
 
“Ky është një mesazh për qeverinë izraelite dhe vendimmarrësit se atje ka pengje që duhet të kthehen të gjallë.”, u shpreh një familjar i Ofer Kalderon.
 
“E kemi pritur këtë moment që Ofer të kthehet në shtëpi, është e pamundur të jetosh pa të. Tani e gjithë familja do të fillojë të rehabilitohet, të kthehet në normalitet dhe në dashtë Zoti, i gjithë populli i Izraelit do të kthehet në normalitet.”, tha një familjar i Ofer Kalderon.
 
Në këmbim të këtyre tre pengjeve, Izraeli do të lirojë 182 të burgosur palestinezë, disa prej të cilëve të dënuar me burgim të përjetshëm.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU