Botë
Senatori i prangosur i Nju Jorkut njihet me akuzat: konspiracion dhe mashtrim
06.05.2015 11:37
Përfshirje në skema korrupsioni janë akuzat e ngritura ndaj senatorit 67-vjeçar të Asamblesë së Nju Jorkut, Dean Skelos dhe djalit të tij, Adam...

At e bir u prangosën nga FBI-ja të hënën, e me aktpadinë u njohën gjatë paraqitjes në një gjykatë federale.
6 akuzat që rëndojnë mbi ta, përfshirë atë të konspiracionit dhe mashtrimit, kanë të bëjnë me mënyrën sesi e përdori senatori pushtetin dhe influencën e tij, si udhëheqës i mazhorancës në Senat, për të pasuruar në mënyrë të përsëritur dhe të paligjshme të birin, e indirekt edhe veten, bën të ditur Zëri i Amerikës.
Besohet se të dy ata vunë në jetë një skemë për të nxjerrë fitim nga posti zyrtar i Skelos, duke zhvatur parà nga palë të treta.
Sipas Prokurorisë, që në 2010-n Dean Skelos dhe i biri kishin ushtruar presion ndaj një biznesmeni të pronave të patundshme, që të mundësonte pagesa prej qindra-mijëra dollarësh në emër të Adam Skelos.
Personi arriti të paguajë, ndërkohë që lobonte Skelosin në lidhje me një legjislacion të rëndësishëm për biznesin e tij.
Pagesat ishin të ndryshme, si për shembull 20 mijë dollarë për Adam Skelos, për punë që nuk i kreu kurrë, ose 4 mijë dollarë çdo muaj nga një firmë teknologjike, që shpresonte të fitonte një kontratë me qeverinë.
Ky është më i fundit në një seri skandalesh të ngjashme, që kanë përfshirë kryeqendrën e Nju Jorkut, Albany.
Po nën akuzën e korrupsionit u arrestua në Janar kreu i Dhomës së Përfaqësuesve të Nju Jorkut, demokrati Sheldon Silver.
Të dyja rastet hetimore u hapën pas shpërbërjes së papritur të një komisioni antikorrupsion në 2013-n, nga guvernatori i shtetit të Nju Jorkut, Andrew Cuomo.
