Botë
Presidenti Tramp firmosi vendosjen e tarifave, Kanadaja, Meksika dhe Kina me kundërmasë
02.02.2025 13:13
Presidenti i ShBA-së nënshkroi urdhrin ekzekutiv për vendosjen e tarifave 25% kundër Kanadasë dhe Meksikës dhe10% kundër Kinës....

Presidenti i Shteteve të Bashkuara nënshkroi urdhrin ekzekutiv për vendosjen e tarifave 25% kundër Kanadasë dhe Meksikës dhe10% kundër Kinës. Po ashtu edhe energjia kanadeze do të taksohet me 10% raporton Shtëpia e Bardhë. Të tre vendet u përgjigjën menjëherë. Kryeministri kanadez, Justin Trudeau njoftoi se Kanadaja do të vendosë tarifa 25% për mallrat amerikane që arrijnë në 155 miliardë dollarë kanadezë, ose 102 miliardë euro, duke filluar nga e marta.
“Njoftoj se Kanadaja do t'i përgjigjet aksionit tregtar të SHBA-së me tarifa 25% për mallrat amerikane me vlerë 155 miliardë dollarë. Kjo do të përfshijë tarifa të menjëhershme për mallrat me vlerë 33 miliardë dollarë duke filluar nga e marta, e ndjekur nga tarifa shtesë për 125 miliardë dollarë në mallrat amerikane brenda 21 ditëve për të lejuar kompanitë kanadeze dhe zinxhirët e furnizimit të kërkojnë alternativa.”, u shpreh kryeministri kanadez, Justin Trudeau.
Presidentja meksikane Claudia Sheinbaum njoftoi se ajo do t’i përgjigjet tarifave amerikane duke vendosur tarifa ndaj Shteteve të Bashkuara.
“Ne refuzojmë kategorikisht shpifjet e Shtëpisë së Bardhë që akuzojnë qeverinë meksikane se ka aleanca me organizata kriminale dhe kartele droge,” shkroi Sheinbaum në X.
Ndërkohë ministria e tregtisë kineze konfirmoi kundërmasat “Luftërat tregtare dhe tarifore nuk kanë kurrë fitues. Ne i kujtojmë SHBA dhe kujtdo tjetër se Kina është një nga vendet që aplikon masat më të ashpra në luftën kundër trafikut të drogës, kështu që pretendimet e artikuluara së fundmi, janë krejtësisht të pabaza”, thuhej në njoftim.
Donald Trump ka argumentuar tarifat e reja kundrejt Kanadasë dhe Meksikës me pretendimin për të ndaluar trafikun e drogës që nis nga Kina dhe kalon nëpërmjet këtyre dy vendeve, ndërsa po ashtu tarifa 10 për qind ndaj Kinës është për të minimizuar sasitë e Fentanilit që hyjnë kontrabandë. Kjo substancë është 75 herë më e fuqishme se morfina dhe përdoret kundër dhimbjeve të forta.
“Njoftimi i sotëm i tarifave është i nevojshëm për të mbajtur përgjegjës Kinën, Meksikën dhe Kanadanë për premtimet e tyre për të ndalur vërshimin e drogave helmuese në Shtetet e Bashkuara”, tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë në X të shtunën.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
