Maqedoni
Përplasje politike për zgjedhjet lokale, BDI: VLEN nuk mund të fitojë pa ndihmë
02.02.2025 15:42
BDI dhe VLEN janë përplasur sërish....

Bashkimi Demokratik për Integrim reagon pas deklaratës së fundit të kreut të LD-së, Izet Mexhiti, i cili tha se në zgjedhjet lokale koalicioni VLEN do të bashkëpunojë me VMRO-DPMNE-në. Nga BDI thonë se dallimi mes tyre dhe VLEN është se ata e marrim fuqinë nga populli, kurse VLEN e merr nga të tjerët.
“Deklaratat e fundit mbi të ashtuquajturën “mbështetje të ndërsjellë” me VMRO-DPMNE-në, për zgjedhjet lokale nuk janë asgjë tjetër veçse një përpjekje e dëshpëruar për të krijuar një iluzion force aty ku nuk ka as mbështetje, as legjitimitet. Realiteti është i qartë: ata nuk mund të fitojnë asnjë garë pa ndihmën e të tjerëve, sepse shqiptarët tashmë i kanë refuzuar.”, - thonë nga BDI.
VLEN: BDI frikësohet, andaj mendon skenare
Pason VLEN me kundër reagim. Prej atje thonë se BDI- ja nuk e përballon dot humbjen dhe për këtë arsye e pyesin nëse ata me Mijallkovin po përgatisin skenar për incidente në zgjedhjet lokale.
“Çdokush që e ka nënvlerësuar inteligjencën e shqiptarëve është penduar, herët apo vonë. Meqë kjo udhëheqësi arrogante, e korruptuar dhe e kapur e BDI-së vazhdon ta injorojë vullnetin e shumicës së shqiptarëve, shumë shpejt do të marrë ndëshkim të ashpër. Epshi i tyre për të qenë në pushtet me çdo kusht do të rezultojë në një referendum kundër tyre në zgjedhjet lokale.”, - thuhet në komunikatën e koalicionit VLEN.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
