Botë
Hajdari: Me marrëveshjen e EFTA-s, Kosova - destinacion për investimet e huaja
03.02.2025 14:04
Ministrja kosovare e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka mbajtur takim me bizneset...

Ministrja kosovare e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka mbajtur takim me bizneset, ku janë prezantuar përfitimet nga Marrëveshja e Tregtisë së Lirë, ndërmjet Kosovës dhe EFTA-s, e nënshkruar ditë më parë. Sipas ministres Hajdari, nga marrëveshja në fjalë, përfitimet janë eliminimi i tarifave doganore për të gjitha produktet industriale, për shumicën e produkteve bujqësore, si dhe lehtëson tregtinë e shërbimeve.
“Kjo është një arritje e madhe që konfirmon synimin dhe përkushtimin tonë për rritjen dhe integrimin e industrisë tonë në tregun ndërkombëtar, për rritjen e punësimit, rritjen e të ardhurave kombëtare, qëndrueshmërinë e shtetit tonë dhe mirëqenien e qytetarëve tanë. Kosova po bëhet një destinacion dinamik dhe tërheqës për investime, me mundësi rritje në sektor kyç, si prodhimi, teknologjia informative. Kjo marrëveshje eliminon tarifa doganore për të gjitha produkte industriale, për shumicën e produkteve bujqësore përveç disa produkteve, si dhe të gjitha shërbimet që janë produkte shërbyese profesionale janë pa kuota. Së dyti nuk bëhet fjalë vetëm për tregtinë e mallrave, marrëveshja lehtëson edhe tregtinë e shërbimeve, një sektor ku Kosova ka treguar një arritje të jashtëzakonshme.”, - deklaroi ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Republikës së Kosovës, Rozeta Hajdari.
Kosova është i vetmi vend në rajon që ka negociuar edhe shërbimet, u tha me këtë rast. EFTA është Shoqata Evropiane e Tregtisë së Lirë dhe përbëhet nga katër shtete anëtare: Zvicra, Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni.
GYLTENE SINANI
