Botë
Trampi kërcënon Evropën me tarifa, Kanadaja e Meksikoja: Do të ketë masa reciproke
03.02.2025 14:18
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Tramp, ka lënë të kuptohet se Bashkimi Evropian mund të jetë objektivi i radhës...

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Tramp, ka lënë të kuptohet se Bashkimi Evropian mund të jetë objektivi i radhës për vendosjen e tarifave tregtare. Ky paralajmërim vjen pas vendimit të administratës së tij për të aplikuar tarifa prej 25% për mallrat nga Meksika dhe Kanadaja, si dhe një taksë shtesë prej 10% për importet nga Kina.
“Ne kemi një deficit mbi 300 miliardë dollarë. Ata nuk na marrin makinat, nuk na marrin prodhimet bujqësore, nuk marrin pothuajse asgjë, dhe ne u marrim gjithçka, miliona makina, produkte ushqimore dhe bujqësore. Mbretëria e Bashkuar është jashtë linjës, unë mendoj se kjo mund të zgjidhet, por është mizore ajo që bëri Bashkimi Evropian.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
Nga Brukseli thonë se me vëmendje dëgjojnë paralajmërimet e Trampit dhe thonë se në luftërat tregtare nuk ka fitues.
“Me vëmendje i dëgjuam këto fjalë dhe kuptohet që përgatitemi edhe nga pala jonë, por është e qartë se nuk ka fitues në luftërat tregtare. Ne jemi të lidhur, na duhet ShBA-ja, por edhe ne i duhemi asaj. Tarifat i rrisin shpenzimet, nuk janë të mira për vendet e punës, nuk janë të mira as për klientët.”, - theksoi përfaqësuesja e lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas.
Përmes një urdhri ekzekutiv u vendos një tarifë 25% për të gjitha mallrat nga Kanadaja dhe Meksika duke filluar nga e marta, me përjashtim të produkteve energjetike nga Kanadaja, të cilat do t'i nënshtrohen një tarife prej 10%. Meksika ndërkohë kërkon dialog, por është e përgatitur të përgjigjet në të njëjtën mënyrë. Kanadaja ka njoftuar se në përgjigje të rritjes së tarifave nga ShBA-ja, do të vendosë të njëjtën rritje për ushqimet, pijet, mobiljet dhe parfumet që vijnë nga ShBA-ja.
FLUTURA LATIFI
