Maqedoni

Ministria e Brendshme, shpartallohet një grup ndërkombëtar kriminal

03.02.2025 14:41

Policia Maqedonisë dhe ajo e Serbisë kanë kryer një aksion të përbashkët policor të koduar si “Vardar”...

Policia Maqedonisë dhe ajo e Serbisë kanë kryer një aksion të përbashkët policor të koduar si “Vardar”, ku janë arrestuar 10 persona të përfshirë në veprën penale “falsifikim i eurove”, grup ky i cili ka vepruar në territoret e disa shteteve. Nga MPB informojnë se është goditur grupi i organizuar kriminel, që ishte formuar në periudhën nga fundi i vitit 2023 deri në shkurt të vitit 2025 në territorin e RMV dhe Serbisë dhe i cili ishte i përbërë nga shtetas maqedonas dhe serbë, që ka pasur për qëllim përpunimin dhe vënien në qarkullim të parave të falsifikuara. Në këtë aksion janë sekuestruar rreth 500.000 euro, 25.000 dollarë amerikanë, 500 franga zvicerane, e monedha të vendeve tjera. Po ashtu janë gjetur edhe makina tjera për përpunimin e monedhave. Sipas MPB-së janë sekuestruar edhe tre pistoleta, një pushkë, 100 copë plumba kalibri 9 mm, 40 fishekë kalibri 12 mm, disa aparate telefonike, SIM kartela, USB dhe laptopë.
 
“I njëjti grup në një banesë në zonën e Shkupit, pasi që janë bërë më parë makineritë speciale me pllaka të gdhendura që imitonin elementet e sigurisë në para, janë prodhuar para të rreme në prerje të ndryshme. Kështu, paratë e prodhuara të rreme i ka lëshuar grupi i organizuar kriminal në qarkullim në sistemet e pagesave të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Serbisë, ndërsa një pjesë e madhe e tyre kanë mbaruar edhe në sistemet e pagesave të Austrisë, Gjermanisë, Rumanisë, Sllovenisë, Kroacisë dhe Kosovës.”, thuhet në komunikatën e MPB-së. 
 
Sipas MPB-së, në suaza të aksionit të zbatuar në Republikën e Serbisë  janë privuar nga liria gjashtë persona, anëtarë të grupit të organizuar kriminal, me ç’rast janë gjetur dhe sekuestruar rreth 153.700 euro. Ndërsa, sipas Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shkup, janë ekzekutuar 23 urdhra kontrolli për persona dhe banesa dhe janë siguruar provat materiale.
 
“Janë ekzekutuar 23 urdhra kontrolli për persona dhe banesa dhe janë siguruar provat materiale. Operacioni vjen pas një operacioni të mëparshëm të gushtit të vitit të kaluar të kryer nga Prokuroria Publike - Shkup dhe Prokuroria Speciale e Kosovës. Operacioni i sotëm mbështetet edhe nga Projekti “Eurojustice” për Drejtësinë Penale të Ballkanit Perëndimor, i cili ofroi koordinim operacional, analizë kritike të inteligjencës dhe asistencë teknike për zbatim.”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë. 
 
Nga MPB-ja njoftojnë se aktivitetet e hetimit vazhdojnë ende dhe Departamenti për luftimin e krimit të organizuar dhe të rëndë do të ngre kallëzim penal kundër gjashtë shtetasve të Maqedonisë dhe dy serb.
 
FITIM KRYEZIU