Maqedoni
Ndryshimet e ligjit për pushtetin lokal, kërkohet llogaridhënie, transparencë më e madhe
03.02.2025 15:00
Kryetarëve të ardhshëm do të mund t’u merret mandati pa e përfunduar atë...

Kryetarëve të ardhshëm do të mund t’u merret mandati pa e përfunduar atë, me anë të deklarimit të qytetarëve me referendum. Këtë e parashikojnë ndryshimet e ligjit për vetëqeverisje lokale, qëllimi i së cilave është rritja e transparencës dhe llogaridhënies nga të zgjedhurit dhe të parandalojnë keqpërdorimet eventuale. Ketë e deklaroi sot ne Gostivar ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski, në debatin e tretë me radhë për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për vetëqeverisje lokale.
Se kush mund ta zëvendësoje kryetarin e rrëzuar, ministri Perinski shtoi se kjo është e drejtë ekskluzive e qytetareve, që nënkupton zgjedhje të reja.
“Jemi dëshmitarë se disa kryetarë të komunave po sillen në mënyrë devijuese dhe e keqpërdorin besimin e qytetareve. Besoj se jemi në rrugë të drejtë që të krijojmë zgjidhje ligjore, e cila do t’u përgjigjet nevojave të pushtetit lokal, por edhe të qytetareve.”, - deklaroi ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski.
Sipas ministrit Perinski, risia e dytë e këtij ndryshimi të Ligjit për vetëqeverisje lokale është edhe formimi i policisë komunale, e cila do te jetë nën kompetencat e vetëqeverisjes lokale. Mbështetje kësaj iniciative I shprehu edhe Kryetari i Komunës se Gostivarit, Valbon Limani, i cili krijimin e policisë komunale e pa si rast të mirë të ballafaqimit me vandalizmin ndaj pronës publike.
Te theksojmë se ky takim konsultativ u organizua nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, në Kuadër të projektit “Forcimi i Këshillave Komunale”, i financuar nga ambasada zvicerane dhe implementuar dhe kofinansuar nga UNDP-ja. Për kalimin e këtij ligji sistematik në Kuvend do të nevojiten dy te tretat e votave të deputetëve dhe votim sipas parimit te Badentrit.
LULZIM HAZIRI
