Maqedoni
Filkov: Nuk do të lejoj jondëshkueshmërinë
03.02.2025 15:29
Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, u bëri thirrje gjykatave të të gjitha instancave dhe Këshillit Gjyqësor...

Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, u bëri thirrje gjykatave të të gjitha instancave dhe Këshillit Gjyqësor, që të ndërmarrin veprime për të shqyrtuar të gjithë rastin e vdekjes së parakohshme të Frosinës.
“Kam marrë vendim për shkarkimin nga anëtarësimi në një grup pune në Ministrinë e Drejtësisë, gjyqtarin, emri i të cilit po bën bujë në opinion. Gjyqtari ishte pjesë e grupit të punës të formuar në dhjetor 2020 për ndryshimet në Kodin Penal dhe ishte pjesë e grupit të optimizuar të punës për ndryshimet e shpejta të Kodit Penal, i cili presim të eliminojë pasojat e dëmshme të shkaktuara nga ndryshimet në vitin 2023. Këtë po e bëj për të mos diskredituar procesin që është iniciuar për reformat e nevojshme thelbësore në gjyqësor.”, - deklaroi ministri i Drejtësisë, Igor Filkov.
Filkovi vlerëson se është koha e fundit që institucionet kompetente të tregojnë se janë të përgatitura për të ndërmarrë masa për gjetjen e autorëve dhe vënien në përgjegjësi të tyre.
“Duhet të vendoset përgjegjësia dhe këtu nuk ka kompromise. Qytetarët presin drejtësinë dhe institucionet janë të obliguara ta japin atë, shpejt, në mënyrë të drejtë dhe transparente. Ky rast është vetëm konfirmim i të dhënave për vlerësimin e punës së gjykatave që janë paraqitur vetëm pak ditë më parë. Ka qenë pikërisht shpejtësia e veprimit dhe korrupsioni që janë zbuluar si problemi më i madh i gjyqësorit me pikën më të ulët.”, - theksoi ministri i Drejtësisë, Igor Filkov.
Kambovski: Sanksione, në rast të shkeljeve
Derisa vazhdon revolta e qytetarëve që kërkojnë llogari nga organet gjyqësore, të cilët nuk e kanë dënuar në mënyrë përkatëse Vasill Jovanovin për rastin ku është shpallur fajtor për tregti me lëndë narkotike, kreu i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski, thekson se do të shqyrtohet rasti dhe nëse ka pasur shkelje do të ketë sanksione. Jovanovi, i cili më 29 janar duke vozitur në gjendje të dehur, pa patentë shoferi dhe në semafor të kuq, e përplasi për vdekje 23-vjeçaren, Frosina Kullakovën, pavarësisht se është kapur me marihuanë dhe kokainë, në vend që të përfundojë në burg, gjykata i ka shqiptuar masë për dërgim në shtëpinë edukuese-korrektuese në Tetovë.
“Nuk e di konkretisht çështjen, nuk e di cilat kanë qenë provat, si ka qenë ngjarja dhe nuk do të guxoja të komentoj në lidhje me vendimin derisa nuk e shoh lëndën e plotë. Sigurisht, se do të shqyrtohet. Gjithkund ku ka lëshim, do të sanksionohet. Të gjithë angazhohemi për sundimin e ligjit, domethënë nuk njoh dikë që pajtohet që të na ndodhin gjendje të këtilla.”, - u shpreh kreu i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski.
Sipas Filkovit, mungesa e veprimit hap mundësinë që nesër të ketë raste të njëjta apo të ngjashme. Apelon aktorët politikë në vend që të mos tentojnë ta keqpërdorin këtë incident fatkeq për qëllime politike dhe sistemi gjyqësor duhet të ndryshohet rrënjësisht, si nga jashtë, ashtu edhe nga brenda.
VLORA LATIFI TOPOJANI
