Ekonomi

Rritja e pagës minimale mbi 450 euro, Sindikalistët kërkojnë mbështetje nga Qeveria

03.02.2025 15:45

Paga minimale të rritet më shumë se 450 euro, nëse Qeveria subvencionon një pjesë të kontributeve...

Paga minimale të rritet më shumë se 450 euro, nëse Qeveria subvencionon një pjesë të kontributeve, kështu deklaruan punëdhënësit para seancës së Këshillit Socio-Ekonomik, duke theksuar se çdo rritje që do të ndajnë prej 1.000 deri në 9.000 denarë duhet të përkrahet brenda një viti nga Qeveria përmes kontributeve sociale, e më tej, me forcimin e ekonomisë, ata do të kenë mundësi për t'i paguar vetë plotësisht këto rritje.
 
“Propozimi ynë është rritja nga 1.000 në 9.000 denarë, që shteti të na ndihmojë me kontribute. Nga 24.800 denarë që i presim tani në muajin mars të kemi subvencione në kontribute sociale deri në 34.000 denarë. Janë rreth 9.000 denarë. Propozimi i sindikatave është 27.000 apo 450 euro, por ne kemi mundësinë që nëse mbështetemi nga Qeveria me kontribute sociale, të rriten ato paga që të arrijmë një pagë minimale pak më të lartë në rajon.”, - deklaroi Mile Boshkov nga Konfederata e Biznesit të Maqedonisë.
 
Kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafilov, tha se për të eliminuar ekonominë “gri” dhe për të përmirësuar standardin jetësor, është e nevojshme që Qeveria të ndërhyjë duke subvencionuar një pjesë të kontributeve, veçanërisht për punëtorët më të varfër. Sipas tij, nëse lejohen subvencione do të sigurohet më shumë drejtësi në sistem.
 
“Paga minimale duhet të rritet aq sa kërkojnë edhe vetë punëdhënësit. Ne sindikalistët duhet të kemi turp të themi më pak se çfarë duan të na japin punëdhënësit. Ne duhet të gjejmë një mënyrë, nëse punëdhënësit duan të rrisin pagat e të gjithë të punësuarve në sektorin privat, të gjejmë një zgjidhje ku Qeveria do të subvencionojë një pjesë të kontributeve si rritje të pagave të punonjësve ose ata do të lirohen për një periudhë kohore pas së cilës do të paguajnë kontributet. Kjo do ta eliminojë ekonominë gri.”, - theksoi kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafilov.
 
Edhe kryetari i Konfederatës së Sindikatave të Lira, Bllagoja Ralpovski, theksoi nevojën për të ndihmuar të paktën punëtorët më të varfër.
 
“Ne do të japim idetë dhe pikëpamjet tona për rritjen më shumë se sa parashikon ligji, do të shohim se si do të zhvillohet diskutimi. Ne jemi të gjithë së bashku për të parë se si mund të ndihmojmë të paktën punëtorët më të varfër, rreth 20.000, të cilët marrin pagën minimale. Ne do të propozojmë një formulë sipas së cilës Qeveria do të subvencionojë një pjesë të pagave të më të varfërve. Ne kemi disa pikëpamje dhe ide tona se si mund të ndihmojë Qeveria në këtë rast, pa shkaktuar goditje inflacioniste.”, - u shpreh kryetari i Konfederatës së Sindikatave të Lira, Bllagoja Ralpovski.
 
Kryeministri Hristijan Mickoski paraprakisht deklaroi se paga minimale do të jetë aq sa do të bien dakord punëdhënësit. Paga minimale për momentin është 22.567 denarë. Sipas të dhënave të fundit nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, aktualisht 25 mijë punëtorë marrin pagë minimale.
 
ARMEND MURSELI