Maqedoni
Zgjedhjet lokale, VLEN: BDI përgatit incidente parazgjedhore
03.02.2025 15:58
Partitë janë në përgatitje për zgjedhjet lokale...

Partitë janë në përgatitje për zgjedhjet lokale. Koalicioni VLEN në baza ditore po diskuton për nxjerrjen e kandidatëve më të mirë pasi synojnë votën shqiptare. Gjithashtu kanë ngritur dyshimet ndaj BDI-së se po përgatisin skenarë destabilizimi para zgjedhjeve.
“Me VMRO-në, në kuadër të koalicionit qeverisës, kemi një marrëdhënie shumë të mirë bashkëpunimi, mirëpo interesi ynë është që të kërkojmë votën e shqiptarëve dhe do të garojmë kryesisht për të kërkuar mbështetjen e shqiptarëve. A është e vërtetë që BDI së bashku dhe me ndihmën e Sasho Mijallkovit po planifikojnë skenarë për incidente parazgjedhore, me qëllim që të mos pranojnë humbjen dhe të shkaktojnë krizë politike? A janë sulmet për të ashtuquajturën deshqiptarizim, pjesë e këtij plani për të justifikuar kaosin që synojnë të shkaktojnë?”, - deklaroi Fatmir Sabriu nga VLEN-i.
BDI akuzon VLEN-in për politika antishqiptare
Paraprakisht nga BDI, nëpërmjet një komunikate thonë se VLEN-i lejoi që java e shkuar të karakterizohej si e zezë për shqiptarët, duke numëruar, sipas tyre, politikat diskriminuese antishqiptare sikurse në Kuvend, por edhe në Qeveri.
“Qeveria ia hoqi statusin e personit juridik Inspektoratit të Gjuhës Shqipe. Në Kuvendin e drejtuar nga mohuesi i gjuhës shqipe, Afrim Gashi, u punësuan vetëm tre shqiptarë dhe njëzet maqedonas. Kryeministri publikoi listën e 17 këshilltarëve të tij, ku shqiptarët janë pothuajse inekzistentë.”, thuhet në kumtesën e BDI-së.
LSDM dhe VMRO drejt përzgjedhjes së kandidatëve
Ndërkohë socialdemokratët mohojnë koalicionime parazgjedhore me BDI-në. Këtë e ka deklaruar vetë kreu i partisë, Venko Filipçe. Nga LSDM njoftojnë se kanë emruar drejtuesit e organizatave komunale. VMRO-DPMNE brenda muajit do të nis aktivitetet për përzgjedhjen e garuesve në zgjedhje.
MERAL ISMAILI
