Maqedoni
Kuvend, të ndryshohen rregullativat në komunikacion
03.02.2025 17:51
Pas vdekjes së 22-vjeçares, Frosina Kulakova, e cila javën e kaluar u përplas...

Pas vdekjes së 22-vjeçares, Frosina Kulakova, e cila javën e kaluar u përplas për vdekje nga një veturë në një vendkalim për këmbësorë në Shkup, shumica parlamentare ka iniciuar procedurë për ndryshimin e rregullativave ligjore, që kanë për qëllim rritjen e sigurisë së qytetarëve në komunikacion.
Debati publik për këto ndryshime do të mbahet të premten, prej ku duhet të dalin udhëzime për përmirësimin e kornizës ligjore. Zgjidhjen e këtij problemi e mbështesin të gjitha grupet parlamentare. Me këtë rast u tha se nuk do të lejohet politizim i kësaj teme, por propozim i zgjidhjeve adekuate.
“Parashtruam njoftim për nevojën e mbajtjes së debatit publik, për shkak të analizës dhe vërtetimit të nevojës për ndryshimin e rregullativës ligjore, me qëllim të përforcimit të sigurisë në komunikacion. Shumica qeveritare në kërkim të përmirësimit të rregullativës ligjore do të kërkojë rregullimin dhe precizimin e tij. Është koha për hapa serioze dhe zgjidhje sistematike. Siguria e qytetarëve duhet të na jetë prioritet të gjithëve dhe kjo nënkupton ndryshime ligjore që do të sigurojnë mbrojtje, parandalim dhe reagime efikase institucionale.”, - deklaroi Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE.
“Grupi parlamentar i partisë "E Majta" do ta mbështesë këtë iniciativë për debat publik nga shumica. Vlerësojmë se është e nevojshme, edhe pse ndoshta më mirë do të ishte të kishte seancë mbikëqyrëse që të shohim edhe për implementimin dhe keqpërdorimin e saj dhe jo vetëm të diskutojmë për disa zgjidhje ligjore.”, - theksoi Amar Mercinoviq nga "E Majta".
“Besoj se nga debati publik do të dalin edhe propozime të tjera të cilat do ta sfidojnë edhe rregullimin e çështjeve të tjera që kanë të bëjnë drejtpërdrejt ndoshta edhe me drejtësinë. Andaj në emër të grupit tonë parlamentar e përkrahim pa diskutim debati publik me dëshirën më të mirë që të dalin konkluzione, të cilat do ta përmirësojnë jetën publike në përgjithësi.”, - u shpreh Elmi Aziri nga Fronti Evropian.
Për të debatuar është e paraparë që të ftohen subjekte të ndryshme, organe relevante shtetërore, institucione, organizata qytetare, punëtorë shkencorë dhe profesionistë, që në mënyrë sistematike të përgatiten propozimet për ndryshimet e rregullativave ligjore.
FLORIJE KAMBERI
