Maqedoni
Prokuroria për krim të organizuar, dhjetë persona të arrestuar për falsifikim parash
03.02.2025 17:05
Policia maqedonase dhe ajo serbe kanë kryer një aksion të përbashkët policor...

Policia maqedonase dhe ajo serbe kanë kryer një aksion të përbashkët policor të koduar si “Vardar”, ku janë arrestuar 10 persona të përfshirë në veprën penale “falsifikim i eurove”, grup ky i cili ka vepruar në territoret e disa shteteve.
Nga MPB informojnë se është goditur grupi i organizuar kriminel, i cili ishte formuar në periudhën nga fundi i vitit 2023 deri në shkurt të vitit 2025 në territorin e RMV-së dhe Serbisë, dhe i cili ishte i përbërë nga shtetas maqedonas dhe serbë, që ka pasur për qëllim përpunimin dhe vënien në qarkullim të parave të falsifikuara.
Në aksionin e MPB-së janë sekuestruar rreth 1 milion euro në monedha të ndryshme, makina tjera për përpunimin e monedhave, armë zjarri etj. Por, nga Prokuroria nuk saktësuan se për sa persona prej tyre do të shqiptohet masa e paraburgimit.
“Në koordinim me prokurorët publikë nga Serbia jemi dakorduar që kur të jetë momenti më i favorshëm dhe afati më i përshtatshëm për ta realizuar. Siç e dini, kemi pasur shumë monedha të konfiskuara, të cilat kanë qenë të falsifikuara në monedha dhe valuta të ndryshme.”, - deklaroi shefi i Prokurorisë për krim të organizuar, Islam Abazi.
“Konkretisht në këtë moment po ndërmerren të gjitha masat e nevojshme hetimore, prandaj nga ky moment nuk dua të jap shpjegime se në çfarë forme do të veprojmë në lidhje me prezencën fizike, me të vetmin qëllim që mos të kryejmë ndonjë presion plotësues.”, - theksoi prokurori publik, Dejan Petreski.
Sipas Prokurorisë, ky është aksioni i pestë i përbashkët me kolegët e tyre të vendeve të rajonit. Ky bashkëpunim, sipas prokurorëve, e ndihmon në masë të madhe punën dhe lehtëson aksionin. Nga Ministria e Punëve të Brendshme nuk përjashtojnë mundësinë e zgjerimit të hetimeve.
FITIM KRYEZIU
