Maqedoni

Vrasje e dyfishtë, Prokuroria me pamje filmike, vetura me të cilën u rrëmbye Vanja, ndjek veturën e Palevskit

03.02.2025 17:21

Në seancën e sotme për vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezovskit...

Në seancën e sotme për vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezovskit, Prokuroria prezantoi pamje që tregojnë lëvizjen e automjeteve të përdorura në rrëmbim.  Sipas Prokurorisë, më 27 nëntor 2023, disa sekonda para se të kalonte automjeti "Citroen", me të cilin u rrëmbye Vanja, në të njëjtën rrugë kaloi edhe "Renault Kangoo", që dyshohet se drejtohej nga Ljupço Palevski - Pallço.
 
Pasi e morën vajzën nga shtëpia e saj, rrëmbyesit për 15 minuta arritën në Vizbeg, ku "Renault Kangoo" u bashkua me "Citroenin”. Pamjet e kamerave tregojnë të dy automjetet duke lëvizur drejt Gorno Orizares me një distancë prej 11 sekondash mes tyre. Më pas, në vendin ku u gjet i djegur "Citroeni”, në kamera shihet vetëm "Renault Kangoo", i cili më pas, sipas Prokurorisë ka shkuar në drejtim të selisë së partisë “E Djathta”.
 
“Nuk bëhet fjalë për çfarëdo vetura të cilat lëvizin nëpër rrugët e qytetit të Shkupit, por të dy veturave të cilat janë përdorur për t’u bërë fillimisht kidnapimi i dy viktimave dhe pastaj dërgimin e dy viktimave në vendin ku ata janë vrarë.”, - tha prokurorja, Ana Stojkoviq Dimitrovska.
 
Në këtë deklaratë kundërshtoi avokati i Palevskit, i cili tha se në automjet nuk shihet qartë nëse shoferi është vërtet Pallço.
 
“Pamjet e kamerave nuk tregojnë asnjë fytyrë, jo vetëm të Lupço Palevskit, por asnjë fytyrë. Nuk munden të thonë, ja këtu po na ngjan me pasiguri. Prokuroria duhet atë ta dëshmojë, Prokuroria deri tani nga 193 dëshmi nuk ka asnjë dëshmi të prezantuar që vrasja është kryer nga këta persona të cilët i akuzojnë, sidomos ndaj Palevskit.”, - theksoi avokati mbrojtës i Palevskit, Jovica Strashevski.
 
Ndryshe, seanca e radhës është caktuar për të premten më 7 shkurt ku do të dëshmojë edhe Goce Trajkovski.
 
BELINDA KOKA ADEMI