Maqedoni

Aksidentimi për vdekje i 22-vjeçares, Filkov: Përgjegjësi për rastin, patjetër të ketë

03.02.2025 18:10

Gjykatësja Daniela Aleksovska Stojanovska është shkarkuar nga grupi punues në Ministrinë e Drejtësisë...

Gjykatësja Daniela Aleksovska Stojanovska është shkarkuar nga grupi punues në Ministrinë e Drejtësisë për ndryshimet në Kodin Penal. Ky vendim i ministrit vjen pas reagimeve të shumta të opinionit, pasi personi që goditi për vdekje, Frosina Kolakovën 22-vjeçare, Vasil Jovanov, nga gjykatësja në fjalë ishte dënuar vetëm me masë për dërgim në shtëpinë edukuese-korrektuese në Tetovë.
 
Ministri Filkov thotë se përgjegjësia për rastin duhet konfirmuar patjetër.  
 
“Përgjegjësia patjetër duhet të konfirmohet dhe këtu nuk ka kompromise. Qytetarët presin drejtësi dhe institucionet janë të obliguara që ta sigurojnë shpejtë, drejtë dhe në mënyrë transparente. Ky rast është vetëm konfirmim i të dhënave për punën në gjykata, të cilat u prezantuan para disa ditëve ku pikërisht shpejtësia në veprim dhe korrupsioni u detektuan si problem më i madh i gjyqësorit, të vlerësuar me notën më të ulët.”, - deklaroi ministri i Drejtësisë, Igor Filkov.
 
Kambovski: Përgjegjësi, nëse janë shkelur procedurat
 
Nëse konstatohet përgjegjësi do të ketë sanksione, thotë kryetari i Këshillit Gjyqësor, Kambovski. 
 
“Gjithkund ku ka lëshime, do të sanksionohet. Të gjithë angazhohemi për sundimin e ligjit, domethënë nuk njoh dikë që pajtohet që të na ndodhin gjendje të këtilla.”, - theksoi kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski.
 
Trajkoska Strezhoska: Nuk duhet kërkuar përgjegjësi nga gjykatësja
 
Nga ana tjetër, drejtoresha e Akademisë së Gjykatësve dhe Prokurorëve Publikë, nuk pajtohet me shqyrtimin e mundësisë për sanksionimin e gjykatëses, Aleksovska Stojanovska, pasi sipas saj ajo ka vepruar në përputhje me ligjin.
 
“Për përgjegjësinë e gjykatëses mendoj se tani nuk duhet të flitet, sepse gjykatësen e njoh personalisht dhe me të vërtetë është profesioniste, ndër gjykatësit më të mirë. Megjithatë ky vendim i mbetet Këshillit Gjyqësor.”, - u shpreh drejtoresha e Akademisë për Gjykatës dhe Prokuror, Irina Trajkoska Strezhoska.
 
Kocevski: Prokuroria kërkon dënim maksimal për Jovanovin
 
Prokuroria Publike po zhvillon procedurë për veprën më të rëndë nga sfera e sigurisë në komunikacion ndaj të dyshuarit, Vasil Jovanov, informoi prokurori shtetëror, Lupço Kocevski, duke premtuar procedurë efikase.
 
“E siguroj opinionin dhe familjen se procedura do të jetë efikase dhe prokuroria do të insistojë për dënim maksimal. Procedura është ngritur për vepër penale nga sfera e komunikacionit, por e kryer me dashje.”, - theksoi prokurori shtetëror, Lupço Kocevski.
 
Po ashtu vazhdon hetimi se si Jovanovi ka marrë celular derisa ishte në paraburgim. Një polic nga burgu i “Shutkës”, i cili ia ka siguruar telefonin Jovanovit në një kuti me biskota, është suspenduar. Nga drejtoria e Zbatimit të Sanksioneve nuk përjashton mundësinë që në këtë incident të ketë të përfshirë edhe persona të tjerë.
 
FLORIJE KAMBERI