Maqedoni

Rasti “Frosina Kulakova”, VMRO: Të shkarkohet gjykatësja, Stojanovska

04.02.2025 14:41

VMRO-DPMNE kërkon që Këshilli Gjyqësor të shkarkojë gjykatësen, Daniela Aleksovska Stojanovska...

VMRO-DPMNE kërkon që Këshilli Gjyqësor të shkarkojë gjykatësen, Daniela Aleksovska Stojanovska, për shkak se e njëjta ka dënuar vetëm me masë edukative Vasil Jovanovin, shoferin që goditi për vdekje 22-vjeçaren, Frosina Kulakovën. Ata njëherit i bëjnë thirrje Prokurorisë Publike që të fillojë hetim ndaj gjykatëses për të përcaktuar se si dhe pse ajo ka shqiptuar masë edukative ndaj Vasil Jovanovit për veprat për të cilat është ndjekur penalisht e që kanë të bëjnë me prodhimin dhe trafikim me drogë. VMRO-DPMNE shpreh dyshime për afërsi mes gjykatëses në fjalë dhe LSDM-së.
 
“A e ka financuar LSD-në gjykatësja, Aleksovska Stojanovska, apo ata e kanë blerë atë duke paguar qira deri sa ishin në pushtet? Venko Filipçe si kryetar i LSD-së dhe Daniela Aleksovska Stojanovska duhet të thonë se si është rregulluar raporti për shfrytëzimin e hapësirës afariste në shtëpinë e saj familjare në Rankovcë nga LSD? Përderisa LSD-ja dhe Daniela Aleksovska Stojanovska dalin me përgjigje, Këshilli Gjyqësor duhet të marrë vendim për shkarkimin e gjyqtarit, që e dërgoi një shpërndarës droge në institucionin korrektues në vend të burgut. Këshilli Gjyqësor nuk mund të pretendojë se nuk i sheh argumentet. Cilado situatë nga dilemat e parashtruara të jetë e vërtetë, Daniela Aleksovska Stojanovska nuk duhet të jetë më gjykatëse vetëm për këtë.”, - deklaroi Mile Lefkov nga VMRO-DPMNE.
 
Filipçe: Dënime më të ashpra për kundërvajtje në trafik
 
Ndërkohë kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, ka bërë të ditur se partia e tij do të propozojë ashpërsimin e dënimeve për kundërvajtje të rënda në trafik. 
 
“Kemi dy propozime konkrete si parti. Para së gjithash, duhet të jetë një polic i pranishëm para dhe në çdo shkollë gjatë orëve të mësimit dhe ai polic të kujdeset për sigurinë e hyrjes së shkollës dhe vendkalimeve të këmbësorëve dhe sigurisht për sigurinë e shkollës, duke parë se çfarë është duke ndodhur me disa incidente në rajon. Dhe propozimi i dytë do të jetë ashpërsim serioz i dënimeve për shkeljet më të rënda të qarkullimit rrugor, që do të përfshijë edhe konfiskimin e automjetit sipas shembullit të disa vendeve evropiane.”, - theksoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
 
Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, të hënën ka njoftuar se ka marrë vendim për shkarkimin e gjyqtares, Daniela Aleksovska Stojanovska, nga grupi punues në Ministrinë e Drejtësisë, për ndryshimet në Kodin Penal. Aktualisht, ndaj të dyshuarit, Vasil Jovanov, Prokuroria Publike po zhvillon procedurë për veprën më të rëndë nga sfera e sigurisë në komunikacion, për të cilën është e paraparë dënim me burg prej 4 deri në 20 vjet burg. Kryeprokurori, Lupço Kocevski, premtoi procedurë efikase dhe se Prokuroria do të insistojë në dënim maksimal.
 
FLORIJE KAMBERI