ShBA, 20 milionë dollarë për kokën e 4 drejtuesve të IS-it

06.05.2015 12:04

Qeveria amerikane ka ofruar një shpërblim prej 20 milionë dollarësh për këdo që jep informacione mbi katër persona që, sipas saj, janë drejtuesit kryesorë të militantëve të “Shtetit Islamik”...

Të katër personat, të identifikuar si Abdal Rahman Mustafa Al-Kaduli, Abu Mohamed Al-Adnani, Tarkan Batirashvili dhe Tarik Al Harzi janë futur kështu në listën e të kërkuarve nga autoritetet amerikane.

7 milionë dollarë janë vënë si shpërblim për Kadulin, nga 5 milionë për Adnanin dhe Batirashvilin, ndërsa 3 milionë për Harzin.

Shpërblimi më i madh i ofruar nga Shtetet e Bashkuara deri më tani ka qenë 25 milionë dollarë për një prej liderëve të “Al-Kaedës”, Ajman Al-Zauahiri, pak kohë pas vrasjes së Osama Bin Ladenit, ndërsa për liderin e ISIS-it, Abu Bakr Al-Bagdadi, janë ofruar 10 milionë dollarë.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se është ende herët për të konfirmuar nëse sulmi i ndodhur në Teksas, ndërkohë që po zhvillohej një konkurs për karikaturat e Profetit Muhamed, është vërtet i mbështetur nga “Shteti Islamik”.

Dy ditë pasi të dy atentatorët u vranë nga forcat e policisë, pasi donin të hynin brenda godinës, ku po mbahej konkursi në Dallas, ISIS-i pretendoi se ky ishte sulmi i parë i organizuar prej tyre në Shtetet e Bashkuara.