Dita Botërore e Kancerit, rritet buxheti për terapinë biologjike, pacientët kërkojnë terapi bashkëkohore

04.02.2025 15:24

Rritja shqetësuese e sëmundjeve malinje...

Rritja shqetësuese e sëmundjeve malinje, veçanërisht tek të rinjtë, e vendos zbulimin e hershëm si prioritet kryesor. Kjo u theksua në debatin në Qeveri me rastin e Ditës Botërore të Kancerit, me ç’rast u potencua se është rritur buxheti për terapinë biologjike në Onkologji, por duhet të ketë edhe regjistër të terapisë, që do ta pranojnë pacientët.

Në pyetjen se pse disa ilaçe në vendin tonë janë shumë më shtrenjtë se në Kosovë, drejtori i Fondit, Klekovski, thekson se vendi furnizohet me ilaçe që kanë standarde evropiane, ndërsa Kosova furnizohet me ilaçe nga Turqia, të cilat nuk i kanë kaluar të gjitha procedurat e kontrolleve.

“Në botë ka vetëm një ilaç të patentuar dhe është i regjistruar dhe mbrojtur te ne në Evropë. Vetëm në një vend prodhohet ilaç me përbërje të njëjtë, i cili nuk është i Novo Artis dhe ky ilaç nga Turqia, nuk është i patentuar. Kjo kuti në Kosovë ka ardhur me siguri e kontrabanduar nga Turqia, sepse ky ilaç nuk është i regjistruar në Evropë dhe nuk do të mund të shitet në mënyrë ligjore në Evropë. Situata të  tilla kemi shpeshherë.”, - deklaroi drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Sasho Klekovski.

Pacientët shpresojnë se do të ketë terapi në kohë pa marrë parasysh ndërrimit të drejtorëve në Klinikën e Onkologjisë, ndërsa drejtoria e Onkologjisë siguron se do të ketë terapi adekuate.

“Ajo që i mungon këtij plani dhe ne e diskutojmë është se prej momentit kur do të zgjidhet problemi me ilaçet në Onkologji, që shpresoj se ky buxhet do ta realizojë, do të duhet të fillojnë të veprojnë komisionet që të dihet se cilët pacientë duhet të pranojnë terapinë dhe të punojmë edhe në prevenimin e kancereve.”, - theksoi Ana Marijanoviq nga Shoqata “Hema-Onko”.                               

“E kemi kompletuar me nënshkrimin e aneks marrëveshjeve me donacion nga një prodhues. Donacioni i fundit ka arritur dje, ka mbetur edhe një ilaç që duhet të arrijë dhe këtë duhet ta zgjidhë distributori.”, - u shpreh drejtori i Klinikës së Onkologjisë dhe Radioterpaisë, Igor Stojkovski.

Disa pacientë së shpejti pritet të transferohen nga Klinika e Onkologjisë në spitalin “8 Shtatori”, ku do të ketë edhe rrezatim.

“Spitali i përgjithshëm “8 Shtatori”, kuadrot nga sfera e Onkologjisë i ka dërguar në trajnime në Klinikën Universitare për Onkologji dhe Radioterapi. Ata veç më janë të gatshëm të fillojnë me aplikimin subkutan të terapisë, ndërsa akceleratorin që e posedon spitali shpresojmë se do ta vëmë në funksion për të filluar me radioterapi në pjesën e dytë të këtij viti.”, - theksoi drejtori i spitalit “8 Shtatori”, Sinisha Stojanovski.

Për këtë vit është planifikuar të zgjerohet programi i shqyrtimit të kancerit të mëlçisë dhe të futen modulet digjitale për monitorimin në kohë reale të procesit. Buxheti për këtë program për vitin 2025 është 23 milionë denarë. (Flutura Latifi, TVM2)