Ekonomi

Paralajmërohet sërish bojkot i marketeve, Qytetarët: Do të vazhdojmë derisa të ulen çmimet

04.02.2025 16:08

Pasi bojkoti i marketeve javën e kaluar nuk pati ndonjë efekt, qytetarët sërish janë vetorganizuar që të vazhdojnë bojkotin....

Pasi bojkoti i marketeve javën e kaluar nuk pati ndonjë efekt, qytetarët sërish janë vetorganizuar që të vazhdojnë bojkotin dhe t’u bëjnë presion afaristëve dhe autoriteteve shtetërore për uljen e çmimeve. Thirrja për bojkot të rrjeteve të mëdha të shitjes me pakicë, që është planifikuar të bëhet këtë të premte, po përhapet sërish në rrjetet sociale. Apelohen qytetarët që të përmbahen nga pazaret, ndërsa fushata quhet “Black Friday” për supermarketet. Qytetarët janë të vendosur t’i përgjigjen thirrjes për bojkot.
 
“Do të bojkotoj të premten kundër çmimeve, kundër marketeve. Na thanë që do t’i zbresin çmimet dhe nuk ndodhi. Janë rritur çmimet edhe atë jashtë normales dhe nuk e di deri ku do të shkojë kështu?! Qeveria e di që populli nuk ka para, por as që u intereson atyre për ne.”, - tha një qytetar.
 
“Për një periudhë të shkurtër kam jetuar në Evropë. Atje dhe këtu standardi jetësor ka dallim shumë të madh. Këtu është jashtë logjikës dhe jashtë normales. Unë e mbështes gjithsesi bojkotin dhe jam dakord. Besoj se prapë do ta përsërisim derisa shteti ta kuptojë këmbënguljen. Ne vetëm mundohemi për pagat tona,  nuk jemi si disa afaristë që kanë të ardhura të tjera private dhe as nuk e ndjejnë standardin.”, - tha një qytetar tjetër.
 
“Populli duhet masovikisht të dalë dhe të bojkotojë. Fuqia e popullit është ajo që bën ndryshime. Pa paga më të larta nuk mund të bëhet asgjë. Çmimet duhet të ulen dhe pagat të rriten. Më këto të ardhura që kemi në Maqedoni, populli nuk mund të kalojë dhjetë apo pesëmbëdhjetë ditë, pjesën tjetër të muajin e shtyjmë disi me mundim. Me një pagë nuk mund të mbash familjen dhe kjo është mizori, jetë me mundime.”, - u shpreh një qytetar.
 
“Realisht unë mendoj që duhet të marrin pjesë të gjithë, thjesht t’ua japim një mesazh pronarëve të marketeve, që kanë zinxhirë marketesh të mëdha, mendoj që duhet të vetëdijesohen dhe mos t’i fryjnë çmimet aq shumë sa që qytetari të mos mund t’i përballojë të gjitha harxhimet, për shkak se e dimë që rrogat stagnojnë, ndërsa çmimet prej në pandemi vetëm rriten. Mendoj se bojkoti nuk mjafton vetëm një ditë, por duhet të zgjasë një javë, që thjesht të arrijë mesazhi aty ku duhet.”, - u shpreh një qytetar tjetër.
 
“Duhet të bojkotojmë, të mos futemi fare nëpër markete. Unë personalisht do ta bëj, nuk do të futem në market. Çfarë është kjo? Shtet ka, por drejtësi nuk ka!”, - theksoi një qytetare.
 
“Çmime më të ulëta duhet, sepse nuk kemi para, sidomos ne që jemi me rroga. Ata që kanë shumë para dhe kanë bizneset e tyre, ato nuk shqetësohen për këtë punë, sepse kanë milionat. Unë nuk blej nëpër markete, jetoj në Rashçe, marr vetëm bukë dhe tjetër gjë nuk më duhet, gjërat tjera elementare i kam blerë, vaj, kripë, sheqer dhe nuk më duhet.”, - theksoi një qytetar.
 
“Po! Do të bojkotoj, sepse bëjnë profit të madh bizneset me çmimet e larta. Çmimet nuk janë reale.”, - theksoi një qytetare tjetër.
 
“Po! Patjetër do të bojkotoj!”, - tha një qytetar.
 
Iniciativa për bojkotin e marketeve, e cila ka nisur fillimisht në Kroaci, ka vazhduar edhe në Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi, ndërsa ka paralajmërime për bojkot edhe në Kosovë. 
 
FARIJE DAUTI BAKIJU