Rama: Ka ikur koha kur gjykatën e bënte partia
Përmes rrjeteve sociale, kryeministri Edi Rama...

Përmes rrjeteve sociale, kryeministri Edi Rama iu përgjigj komenteve mbi ministrat e burgosur, si vullnet për t’u shëruar nga korrupsioni, e jo si disavantazh të Qeverisë së tij.
“Po si i numëron një herë. Me çfarë metri? Unë kam pasur në Qeveri afro 60 ministra, qysh nga viti 2013. Nuk e di si e bëni këtë numërim, se nuk është kështu. Por, nëse ne kemi krijuar kapacitetet shtetërore për të goditur fenomenin kanceroz të korrupsionit, kjo është për të marrë frymë thellë e ndjerë mirë që më në fund u çliruam nga makthi i të jetuarit në një shtet ku drejtësia nuk vepronte kurrë ndaj atyre që kishin pushtet. Është vullnet për t’u përballur me një sëmundje, duke pranuar që kjo sëmundje patjetër prek dhe ata që qeverisin.”, - deklaroi kryeministri, Edi Rama.
Rama tha se ka ikur koha kur gjykatën e bënte partia, e njëjta që më 30 korrik 1993 burgosi politikisht shefin e atëhershëm të opozitës, Fatos Nano. Sipas tij, shqiptarët do t’ia japin përgjigjen Berishës në zgjedhjet e 11 majit.
“Nuk ka ndodhur që nga viti 1912, që të ketë një person të lidhur me pushtetin politik përpara drejtësisë së pavarur. Nuk po flasim për Fatos Nanon, që u dënua nga një gjykatë politike. Lavdi Zotit, koha kur gjykatën e bënte partia, kryeministri caktonte kush duhet të dënohej ka vdekur. Bufi nuk është problemi im. Janë problem i drejtësisë. Janë problemi ynë në aspektin politik dhe i shqiptarëve që e dinë si do ta trajtojnë më 11 maj. Budallenj ishin vëllezërit tanë gjermanë që mbajtën 4 mandate 2 kancelarë në 30 vite? Si thua budallenj ishin vëllezërit tanë holandezë, që e kishin 4 mandate kryeministrin?!”, - theksoi kryeministri, Edi Rama.
Rama foli edhe për shërbimet shëndetësore dhe të arsimit, duke thënë se ka ende punë për të bërë, po ato janë në një situatë më të mirë se kurrë. (Luljeta Doka, TVM2)
