Botë

Tramp: Gaza të jetë nën kontrollin e ShBA-së, palestinezët duhet të lëvizin

05.02.2025 09:31

Presidenti Donald Tramp u zotua se Shtetet e Bashkuara do të merrnin përgjegjësinë e rindërtimit dhe stabilizimit të Rripit të Gazës...

Presidenti Donald Tramp u zotua se Shtetet e Bashkuara do të merrnin përgjegjësinë e rindërtimit dhe stabilizimit të Rripit të Gazës, pasi palestinezët të zhvendoseshin diku tjetër. Presidenti Tramp njoftoi planin e tij të befasishëm, pa dhënë hollësi specifike, gjatë një konference të përbashkët për shtypin me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu.

“Shtetet e Bashkuara do të marrim kontrollin e Rripit të Gazës dhe ne do të bëjmë një punë të mirë atje.”, tha presidenti, Tramp. 
 
Ai propozoi zhvendosjen e përhershme të palestinezëve nga Gaza në vendet fqinje, duke e quajtur territorin palestinez një “zonë të shkatërruar” nga lufta, ndërsa po zhvillonte bisedime të rëndësishme me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu.
 
Zyrtari i lartë i Hamasit, Sami Abu Zuhri, dënoi thirrjet e presidentit Tramp për largimin e banorëve të Gazës, duke e konsideruar “dëbim nga toka e tyre”. Por, Arabia Saudite ka thënë se do të pajtohet me një marrëveshje të tillë, nëse përfundon lufta në Gazë dhe nëse ekziston një rrugë e qëndrueshme për krijimin e shtetit palestinez në Gazë, Bregun Perëndimor dhe në Jeruzalemin lindor, territore që Izraeli i pushtoi në luftën e vitit 1967 në Lindjen e Mesme.
 
Kundërofensiva e Izraelit gjatë 15 muajsh luftime shkaktoi vdekjen e 47.500 palestinezëve, mbi gjysma e të cilëve gra dhe fëmijë. Ushtria e Izraelit thotë se kjo shifër përfshin 17 mijë militantë të vrarë.