Maqedoni

Rasti "Frosina", Bubevski: Hetimi zgjerohet edhe për prindërit

05.02.2025 14:35

Prokuroria Publike njofton se hetimi që po zhvillohet ndaj Vasil Jovanovit, i cili goditi për vdekje 22-vjeçaren, Frosina Kullakova...

Prokuroria Publike njofton se hetimi që po zhvillohet ndaj Vasil Jovanovit, i cili goditi për vdekje 22-vjeçaren, Frosina Kullakova, është zgjeruar edhe për prindërit e të pandehurit, i cili e ka drejtuar automjetin nën ndikimin e alkoolit dhe pa patentë shofer. Shefi i Prokurorisë së Shkupit, Gavrill Bubevski, tha se procedura është zgjeruar për të shqyrtuar ndikimin dhe veprimet e prindërve në drejtimin në të cilin këtij personi i është mundësuar të ketë mjet që shkakton rrezik të përgjithshëm.
 
“Që nga fillimi, Prokuroria po mendon në këtë drejtim pasi që pronësia e veturës është në emër të babait. Në këtë drejtim janë dhënë urdhra konkrete deri tek Ministria e Punëve të Brendshme, Sektori për Punë të Brendshme në Shkup, që të shqyrtojnë gjenezën e veturës dhe dhënies së saj të drejtojë i akuzuari. I japim trajtim edhe mjetit të rrezikshëm me të cilin është ndërmarrë një veprim të rrezikshëm. I akuzuari është person që nuk ka patent shoferi, ka drejtuar veturë dhe këtu kërkojmë nëse mund të vërtetojmë përgjegjësi me paramendim nga ana e prindërve.”, - deklaroi prokurori publik, Gavrill Bubevski.
 
Kambovski: Do t’i shqyrtojmë të gjitha lëndët
 
Ndërkohë, kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski, ka njoftuar se kanë filluar me shqyrtimin e të gjitha lëndëve që kanë të bëjnë me të akuzuarin, Vasil Jovanov, për të vërtetuar nëse ka pasur lëshime në procedurat ndaj tij.
 
“Kemi filluar, po shqyrtojmë. Gjatë ditës së nesërme do të formojmë edhe Komision nga ana e Këshillit Gjyqësor dhe pas shqyrtimit në të gjitha shkresat do të dalim me qëndrim nëse ka pasur lëshime apo jo. Do të shqyrtohet gjithçka, që në opinion u shfaq si vërejtje.”, - u shpreh kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski.
 
Todor Kullakov, babai i së ndjerës Frosina, kërkoi që shoferi të dënohet me burgim të përjetshëm, ndërkaq prindërit të japin llogari për pjesëmarrje në vrasje. Vdekja e Frosinës ka shkaktuar revoltë të madhe në opinion, për çka mijëra qytetarë dolën në protestë dhe kërkuan ndëshkimin e shoferit, i cili paraprakisht është kapur duke tregtuar me drogë, por në vend të burgut ka përfunduar me vendim për dërgimin e tij në shtëpinë edukuese korrektuese në Tetovë. Veprën për të cilën ngarkohet i akuzuari i kanoset dënim me burg prej 4 deri në 20 vite.
 
FLORIJE KAMBERI