Maqedoni

Aksion i madh policor në MPB, keqpërdorim i tenderëve, në shënjestër, Pece Mirçevski

05.02.2025 15:01

Një aksion të madh policor ka nisur brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme....

Ministria e Punëve të Brendshme ka realizuar një aksion të madh policor brenda radhëve të saj mëngjesin e së mërkurës. Janë kryer bastisje në ndërtesën e ministrisë. Bëhet fjalë për një hetim lidhur me dyshimet për keqpërdorim të tenderëve për servisimin e veturave zyrtare. Bastisje janë kryer në zyrat e disa drejtorëve dhe punonjësve në disa njësi organizative të MPB-së. Në rrethana jozyrtare mësohet se është arrestuar ish-shefi në sektorin e Qeverisë, Shërbimi për punë të përgjithshme dhe të përbashkëta, Pece Mirçevski, i cili dyshohet se gjatë kohës sa ka udhëhequr me këtë sektor, ka keqpërdorur dhe manipuluar me prokurimet publike. Burime brenda policisë thonë se është bastisur edhe shtëpia e tij.
 
“Prokuroria Themelore Publike – Shkup së bashku me Drejtorinë e Policisë Financiare janë duke ndërmarrë veprime për sigurimin e provave në rastin e veprave penale të marrjes së ryshfetit, dhënies së ryshfetit, përvetësimit në shërbim dhe veprimit nga pakujdesia. Në lokacionet në Shkup janë duke u bërë bastisje, për të cilat është siguruar urdhër i gjyqtarit të procedurës paraprake dhe po ndërmerren veprime të tjera. Deri më tani janë bërë kontrolle në 16 lokacione me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake, me kërkesë të prokurorit publik. Duke pasur parasysh fazën në të cilën është procedura, për momentin nuk mund të ndajmë më shumë detaje.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
 
Bastisje gjithashtu janë kryer edhe në disa autoservise, që për vite me radhë kanë shërbyer në mirëmbajtjen e veturave. MPB ka konfirmuar informacionin dhe ka theksuar se aksioni është realizuar nga Byroja për Sigurinë Publike.
 
“Ju njoftojmë se zyrtarët policorë të Departamentit për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rënda, Departamentit të Policisë për Krime dhe Departamentit për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminale dhe Standarde Profesionale, nën udhëzimin e Prokurorit Publik kompetent, aktualisht janë duke zbatuar masat dhe aktivitetet lidhur me punën e Departamentit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta në MPB.”, thuhet në kumtesën e MPB-së.
 
Policia Financiare tha se më shumë detaje për rastin do të jepen në vazhdim. Kujtojmë se Mirçeski postin e lartë në Shërbimin për punë të përgjithshme dhe të përbashkëta e ka mbajtur që nga fillimi i qeverisjes së mëparshme të ish-kryeministrit, Zoran Zaev, nga qershori i vitit 2017, kur zëvendësoi paraardhësin e tij, Vase Donevski. Pece Mirçeski ka mbajtur pozitë të rëndësishme partiake edhe në radhët e LSDM-së.
 
ARMEND MURSELI