Maqedoni

Kulturë, BDI me akuza për ndarjen e fondeve

05.02.2025 15:14

Ish-sekretari në Ministrinë e Kulturës dhe njëherit sekretar për Kulturë i BDI-së, Valmir Aziri...

Ish-sekretari në Ministrinë e Kulturës dhe njëherit sekretar për Kulturë i BDI-së, Valmir Aziri, thotë se shqiptarët po përjetojnë diskriminimin më të rëndë kulturor në dy dekadat e fundit dhe të njëjtët trajtohen si qytetarë të dorës së dytë në shtetin e tyre. Sipas Azirit, me programin vjetor, Ministria e Kulturës ka bërë ndarje të padrejtë me fonde, ku sipas Azirit, shqiptarët morën vetëm 12 për qind të buxhetit dhe projekteve.
 
“Në kohën kur Ministria e Kulturës dhe Turizmit propagandon rritjen e buxhetit për kulturën, realiteti për shqiptarët është krejt ndryshe. Në vitin 2025, shqiptarët po përjetojnë diskriminimin më të rëndë kulturor të dy dekadave të fundit. Programi vjetor nuk është vetëm një ndarje e padrejtë e fondeve, por një strategji e pastër shtetërore për të zhdukur kulturën shqiptare nga mbështetja institucionale. Sipas informatave të sigurta, institucionet që udhëhiqen nga shqiptarët janë dënuar me një buxhet minimal, në total, të gjitha sektorët kryesor të kulturës, shqiptarët nuk kanë arritur të marrin as 12 për qind të buxhetit dhe projekteve, duke u trajtuar si qytetarë të dorës së dytë në shtetin e tyre.”, - deklaroi Valmir Aziri nga BDI. 
 
Sulejmani: Janë punuar para se të marr mandatin
 
Ndërkoh, zëvendësministri i Kulturës, Sedat Sulejmani, shkurt është përgjigjur se aplikacionet për projektet janë punuar para se ai ta marrë mandatin si zëvendësministër i Kulturës. Sipas Sulejmanit, përgjegjësia për këtë vit është e vetë ministrit të Kulturës, Zoran Lutkov.
 
VISAR SADIKI