KQZ në Kosovë, përgatitjet e fundit për zgjedhjet e 9 shkurtit

05.02.2025 16:44

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve...

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po bën përgatitjet e fundit për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë. Fletëvotimet për këtë proces tashmë janë gati, bëjnë të ditur nga KQZ-ja, prej ku njoftojnë se janë shtypur 1.752.650 fletëvotime, të cilat ndahen në ato të rregullta, me kusht, për votimin e personave me nevojave të veçanta, por edhe ato rezervë, si dhe për votimin në përfaqësi diplomatike.

“Bazuar në Listën Votuese të certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote është 2.075.868 votues, prej të cilëve 1.970.944 votues janë votues që i takojnë Listës Votuese brenda Kosovës dhe 104.924 votues janë pjesë e Listës Votuese jashtë Kosovës. Andaj, sipas vendimit të KQZ-së, do të shtypen 323.218 apo 15.57% fletëvotime më pak se numri i votuesve. Kjo është një praktikë e ndjekur nga KQZ-ja edhe në proceset e kaluara zgjedhore.”, - deklaroi zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.                                                 

Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në zgjedhje për proces të qetë zgjedhor, derisa ka ftuar qytetarët të dalin në votime më 9 shkurt.

“Siç e dini, në fundjavë do të organizohet votimi në përfaqësi diplomatike në shtete të ndryshme dhe në komunat e Republikës së Kosovës. Gjatë këtyre 6 muajve jemi përkushtuar maksimalisht për organizimin e këtyre zgjedhjeve, me qëllim që qytetarët me të drejtë vote të shprehin vullnetin e tyre dhe që zgjedhjet të organizohen sipas ligjit dhe sipas standardeve më të mira. Në emër të KQZ-së, u bëj thirrje të gjithëve për proces të qetë zgjedhor.”, - theksoi   kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

Ai i bëri këto deklarata nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) ku u organizua ceremonia e pranimit të serverëve dhe pajisjeve përcjellëse për këtë qendër, si donacion i Qeverisë së Gjermanisë nëpërmjet OSBE-së. (Gyltene Sinani, TVM2)