Gaza pas armëpushimit, Tramp: Gaza të jetë nën kontroll të ShBA-së

05.02.2025 17:01

Presidenti amerikan propozon që Rripi i Gazës të vihet nën kontrollin amerikan...

Presidenti amerikan propozon që Rripi i Gazës të vihet nën kontrollin amerikan, që ta marrin përsipër menaxhimin e tij, ta zhvillojnë ekonomikisht dhe ta kthejnë në një rivierë të Lindjes së Mesme të populluar nga njerëz nga e gjithë bota. Ai propozoi edhe njëherë zhvendosjen e përhershme të palestinezëve në vendet fqinje.

“ShBA-ja do të marrë Rripin e Gazës dhe ne do të punojmë gjithashtu me të. Ne do të zotërojmë dhe jemi përgjegjës për çmontimin e të gjitha bombave të rrezikshme të pashpërthyera dhe armëve të tjera në vend.", - deklaroi  presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.

Izraeli, dakord me idenë e Trampit, Gjermania dhe Franca kanë kundërshtuar idenë

Kryeministri izraelit vlerësoi se ia vlen t'i kushtohet vëmendje idesë së presidentit amerikan, e cila mund të ndryshojë historinë.

“Izraeli do ta përfundojë luftën me fitore. Fitorja e Izraelit do të jetë fitorja e Amerikës. Me udhëheqjen tuaj, zoti president, dhe partneritetin tonë, besoj se do të krijojmë një të ardhme të ndritur për rajonin tonë.”, - theksoi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.

Hamasi, Arabia Saudite, Gjermania dhe Franca, kanë kundërshtuar idenë e Trampit, për të marrë nën kontroll Gazën. Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, dhe zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze theksuan se plani i Trampit është i papranueshëm.

“Është gabim madje të diskutohet kjo çështje. Jemi kundër të gjitha nismave, që kërkojnë të përjashtojnë popullin e Gazës nga ekuacioni.", - u shpreh ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan.

“Ne shpresojmë që të gjitha palët relevante do të përqafojnë armëpushimin e Gazës dhe administratën e pasluftës si një mundësi për ta kthyer çështjen palestineze në rrugën e duhur të një zgjidhjeje politike të bazuar në një zgjidhje me dy shtete, me qëllim arritjen e paqes së qëndrueshme në Lindjen e Mesme.”, - theksoi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Lin Jian.

Faza e dytë e armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit parashikon një armëpushim 42-ditor. Hamasi do të lirojë të gjithë pengjet e mbetura që ka mbajtur që nga sulmi i 7 tetorit 2023, ndërsa Izraeli do të lirojë një numër të rënë dakord më parë të të burgosurve palestinezë. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)