Maqedoni

Ligji për taksën e solidaritetit, Gjykata Kushtetuese merr vendim për anulim

05.02.2025 17:16

Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim për anulimin e Ligjit për taksën e solidaritetit...

Kjo do të thotë se shteti do të duhet të kthejë rreth 49.2 milionë euro për 156 kompani. Procedurën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjit të kontestuar, Gjykata Kushtetuese e ka nisur më 20 nëntor të vitit të kaluar, ndërsa vendimi përfundimtar është marrë në seancën e sotme.
 
Këto kompani përkatëse mund të kërkojnë kthimin e mjeteve në afat prej 5 viteve, deklaroi kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski. Sipas tij, vendimi që ishte sjellë ka qenë nënçmues.
 
“Subjektet duhet të dinë se çka po i pret, sepse nuk mundet në mes të lojës t’ua ndryshoni rregullat e lojës, sepse ato në bazë të dispozitave ligjore përgatiten dhe dorëzojnë projeksione dhe pikërisht në këtë bazohet e drejta е sundimit të ligjit. Dhe kur të sundon ligji dhe e drejta ligjore, ti e di se çfarë të pret dhe llogarit se gjatë këtij viti ke kaq përfitim të realizuar, kaq tatim do të paguaj, dhe gjithçka tjetër të dërgon në ligjshmëri me shumë të panjohura dhe pasiguri.”, - deklaroi kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski.
 
Edhe pse nuk ka afat kohe se deri kur shteti do të duhet që këto mjete t’ua kthejë kompanive, Kostadinovski është i mendimit se kjo mund të rregullohet përmes marrëveshjeve  mes palëve. Ky tatim ishte vendosur si masë për t’u përballë me pasojat ekonomike në vitin 2023.
 
Ky tatim ishte për kompanitë, të cilat gjatë vitit 2022 kishin të ardhura të përgjithshme më të lartë se 615 milionë denarë. Gjykata, në nëntor të vitit të kaluar, shprehu dyshimin se ligji i kundërshtuar cenon vlerën themelore të shtetit të së drejtës të rregulluar me nenin 8 paragrafi 1 paragrafi 3 të Kushtetutës dhe parimet themelore mbi të cilat ai mbështetet.
 
Në këtë fazë, gjykata vlerëson se me miratimin e këtij lloj tatimi, shoqëritë janë vendosur në pozitë të pabarabartë dhe se ligjvënësi ka bërë ndërhyrje në të drejtën e garantuar me Kushtetutë të pronës.
 
Kryeministri Hristijan Mickoski, në janar të këtij viti tha se vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk komentohen, por zbatohen dhe nëse Gjykata merr vendim për kthimin e 50 milionë eurove nga tatimi i solidaritetit, ato do të kthehen.
 
FITIM KRYEZIU