Maqedoni
MPB: Protestat ishin të dhunshme, në spitale kërkuan ndihmë 40 persona
06.05.2015 13:54
38 policë të lënduar, prej të cilëve gjashtë më seriozisht, 2 civilë të lënduar, 30 demonstrues të prangosur mes tyre dy adoleshentë...

38 policë të lënduar, prej të cilëve gjashtë më seriozisht, 2 civilë të lënduar, 30 demonstrues të prangosur mes tyre dy adoleshentë, 7 makina policie të shkatërruara dhe dëme të mëdha materiale është bilanci i protestave të mbrëmshme para Qeverisë së Maqedonisë.
“Qytetarët e Maqedonisë, gjatë ditës së djeshme ishin dëshmitarë të demonstratave të dhunshme, sulmit brutal ndaj shërbimeve policore me pllaka bekatoni, gjësende hekuri, gurë dhe sende tjera. Ata ishin dëshmitarë të aktit më të turpshëm të uljes dhe shqyerjes së flamurit shtetëror”- deklaroi ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska.
Protestat u tensionuan pas orës 22, kur policia filloi të shpërndajë turmën me bomba tymi, duke mos munguar as topat e ujit. Pjesëtarët e policisë dhe të tjerët që mbetën të lënduar nga protesta e mbrëmshme kanë kërkuar ndihmë në klinikat e qytetit.
“Mbrëmë, diku para orës 23 deri në orën 1 pas mesnate, në Klinikën “Shën Naumi i Ohrit” janë lajmëruar gjithsej 15 persona, prej të cilëve gjashtë janë mbajtur në observim dhe shërim të mëtejmë. Tek të gjithë janë bërë analizat klinike, laboratorike dhe radiologjike. Gjashtë pacientët që janë mbajtur, janë me lëndime në kokë dhe njëri edhe në bark. Pacienti i gjashtë është me lëndime në abdomen. Prej tyre në mëngjes janë liruar katër në mjekim shtëpiak, ndërsa pacientët që janë në klinikë janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe presim që sot apo nesër të lëshohen në mjekim shtëpiak”- deklaroi drejtoresha në Klinikën”Shën Naumi i Ohrit”, Jasminka Cabukovska.
“Në Qendrën Urgjente janë pranuar gjithsej 14 të lënduar nga protestat e mbrëmshme, prej tyre 12 policë dhe 2 civilë, të gjithë janë jashtë rrezikut për jetë. Pas investigimeve u konfirmua se bëhet fjalë për lëndime të lehta trupore dhe pas ndihmës së dhënë ata do të lëshohen në mjekim shtëpiak”- tha drejtori i Qendrës Urgjente, Rexhep Selmani.
Para eskalimit të protestës, njëri nga policët lëshoi kordonin policor, veprim që u prit me brohoritje nga protestuesit, si një shenjë përkrahjeje ndaj protestave. Por, polici tregoi me pas një tjetër variant të krejt ngjarjes, duke mohuar se ka lëshuar vendin e punës.
“Pasi masa e njerëzve ishte shumë agresive dhe mund të shkaktohej rrëmujë nga eprorët, mora urdhër t’i hapim barrikadat e metalit, që turma të mund të lëviz në këtë hapësirë. Veprova sipas urdhrit të dhënë nga eprorët, që është detyra ime. Unë u ktheva në pozitë, pasi rreth qeverisë kishte edhe forca të tjera policore në pozicione të tjera, dhe vazhdova me punë deri tani. Unë për momentin jam në vendin tim të punës dhe nuk e kam lëshuar”- u shpreh pjesëtari i shërbimeve policore.
Ministrja Jankullovska thotë se në asnjë moment nuk ka pasur tejkalim të kompetencave nga ana e policisë. Sa i përket akuzave se është përpjekur të fshehë rastin e vrasjes së të riut, Martin Neshkovskit, Jankullovska ripërsëriti se incizimet janë të montuara dhe policia ka ndërmarrë të gjitha masat që rasti të zbardhet.
Kjo, sipas saj, vërtetohet me faktin se autori i vrasjes ka dalë para drejtësisë dhe po vuan dënimin me burg. (Florije Beluli-Kamberi, TVM2)
