Maqedoni
Rasti me vdekjen e Frosina Kulakovës, PThP: Procedurë efikase, sigurohen prova
06.02.2025 13:47
Prokuroria Themelore Publike është duke punuar për ta zbardhur rastin e vdekjes së 22-vjeçares, Frosina Kullakova...

Prokuroria Themelore Publike është duke punuar për ta zbardhur rastin e vdekjes së 22-vjeçares, Frosina Kullakova, e cila u godit deri në vdekje nga Vasil Jovanovi, ndërkohë që po priste vendimin e Gjykatës së Apelit për një vepër të kryer më herët. Kryeprokurori Ljupço Kocevski paralajmëron procedurë efikase dhe tashmë shqyrtohet e gjithë procedura paraprake e ngritur ndaj Jovanovit dhe po sigurohen prova të reja për këto raste.
“Në kuadër të procedurës së ngritur për shkelje të Frosinës do të rishqyrtohet edhe gjithçka tjetër që është e lidhur dhe është në interes, që do të thotë se do të shqyrtohen dhe merren parasysh të gjitha rrethanat dhe provat më herët edhe gjatë kësaj procedure, sepse vlerësojmë se gjatë shqiptimit të aktgjykimit jo vetëm gjykata, por edhe prokurori publik do t’i ketë parasysh të gjitha ndodhitë lidhur me këtë rast, pasi që dënimi duhet të ketë qëllim dhe ndikim, ku prokurori publik në këtë drejtim dhe momente po i ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për t’i siguruar provat, edhe pse deri në këto momente, kemi siguruar prova të mjaftueshme që janë në favor të Prokurorisë.”, - deklaroi kryeprokurori, Ljupço Kocevski.
Në ndërkohë komisioni i veçantë në kuadër të Këshillit Gjyqësor rishqyrtojnë të gjitha lëndët dhe procedurat e mëhershme gjyqësore lidhur me të pandehurin, Vasil Jovanov. Komisioni duhet të konstatojë nëse ka pasur ose jo lëshime në procedurat e ngritura ndaj tij, si dhe nëse është liruar Jovanovi nga paraburgimi me arsye ose jo.
“Komisioni me kujdes të veçantë duhet të veprojë pasi që në këto momente lënda është para Gjykatës së Apelit, ku nuk do të ushtrojë presion ndaj kësaj gjykate, sepse ata do të duhet të marrin vendim për aktvendimin e gjykatës së shkallës së parë ku nëse është e mirë do ta konfirmojnë, e nëse vlerësojnë se ka shkelje të procedurës do ta anulojnë, andaj themi se komisioni me kujdes të veçantë duhet të bëjë mbikëqyrjen dhe më pas të përpilojë raportin.”, - theksoi kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski.
20-vjeçari Vasil Jovanov, i cili aksidentoi deri në vdekje Frosina Kullakovën duke kaluar në semafor të kuq, me shpejtësi të madhe dhe në gjendje të alkoolizuar tashmë ndodhet në paraburgim. Për këtë rast atij i ngarkohet vepra më e rëndë nga fusha e sigurisë në komunikacion, ku kërkohet dënim maksimal për të.
REXHEP QAMILI
