Maqedoni
Tatimi solidar, shteti do t’u kthejë kompanive rreth 50 milionë euro
06.02.2025 14:24
Qeveria do t’i kontaktojë të gjitha kompanitë, të cilave shteti u detyrohet kthim të parave të tatimit solidar

Qeveria do t’i kontaktojë të gjitha kompanitë, të cilave shteti u detyrohet kthim të parave të tatimit solidar, premtoi kryeministri, Hristijan Mickoski. Gjykata Kushtetuese vendosi një ditë më parë, se veprimi kishte qenë jokushtetues. Rreth 130 kompani janë detyruar me ligj të veçantë nga shumica e kaluar të paguajnë tatim solidar në vlerë totale prej 50 milionë eurosh, përskaj tatimit bazë që i kanë pasur shtetit.
“Ajo që më shqetëson mua më shumë nuk është ajo çfarë ka bërë qeveria e kaluar, por fakti që kanë pasur mbështetjen e disa institucioneve financiare ndërkombëtare që ta bëjnë këtë. Tani kush do ta kthejë këtë?! Atëherë ishim opozitë dhe unë i kam shikuar në sy përfaqësuesit e institucioneve financiare ndërkombëtare dhe u kam thënë se një ditë këtë dikush duhet ta kthejë. Ja, erdhi dita që do të duhet ta ktheni ju. Ata do të bëjnë gati valixhet dhe do të kthehen nga kanë ardhur, ju do të duhet ta ktheni. Tani në vend që 50 milionë euro të përdoren për diçka tjetër, ne do të duhet t’i kthejmë për shkak se dikush ka bërë gabim. Këto njerëz kanë të drejtë të kërkojnë edhe kamatë për vonesën. Kjo nuk është për t’u habitur. Vendimi i Gjykatës është përfundimtar dhe duhet të respektohet.”, - deklaroi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
