Maqedoni
Këshilli Gjyqësor, Mickoski: T'i godasim në ballë, të shkarkohen
06.02.2025 14:41
Kryeministri, Hristijan Mickoski, këmbëngul në interpelancë për anëtarët e Këshillit Gjyqësor...

Kryeministri, Hristijan Mickoski, këmbëngul në interpelancë për anëtarët e Këshillit Gjyqësor, që janë të zgjedhur në Kuvend. Ai paralajmëroi që deputetët e VMRO-DPMNE-së do të dorëzojnë iniciativë për shkarkimin e anëtarëve, që sipas tij, janë fortesa kryesore për korrupsion, padrejtësi dhe dëshpërim. Mickoski thotë se sistemi gjyqësor dhe ai i Prokurorisë është një moçal politik, ku zotërojnë shumë polemika dhe skandale.
“Vlerësojmë se duhet të goditet në ballë, të mos mundohemi të improvizojmë, të bëjmë implante etj. Goditja në ballë nënkupton se e gjithë ajo që është në ingerenca të Kuvendit dhe ajo është zgjedhja e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, atje ku zgjidhen, atje dhe ku votohet interpelanca. E vërtetë është se edhe pas votimit të interpelancës, ata edhe më tutje mund të jenë pjesë e Këshillit Gjyqësor. Por, në momentin që ai që të ka zgjedhur, të voton mosbesim dhe t’i vazhdon të mbash inat. Kjo nuk është mirë, atëherë në kemi mekanizma të tjerë, por unë shpresoj se nëse Parlamenti voton mosbesim apo interpelancë, atëherë shpresoj se ata do të jenë të virtytshëm dhe do të tërhiqen.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Kambovski: Në bazë të ligjit, shkarkon Këshilli Gjyqësor
I menjëhershëm ka qenë reagimi i LSDM-së. Sipas tyre, nuk duhet lejuar që drejtësia të partizohet dhe pushtohet përmes largimit të Këshillit Gjyqësor nga ana e Qeverisë.
“Fakt është se duhet një reformë thelbësore në të gjithë sistemin e drejtësisë. Prandaj LSDM kërkon mbledhje të përbashkët të të gjitha partive politike në Kuvend. Në atë takim duhet të ndërtohet një konsensus mbipartiak, sepse ekziston rrezik serioz, nëse bëhet një ripartizim i organeve të drejtësisë në mënyrë të njëanshme. Kuvendi është vend ku ndërtohet konsensus i përgjithshëm dhe prandaj ne bëjmë thirrje për një mbledhje të përbashkët të të gjitha partive politike në Kuvend.”, - theksoi Martin Kostovski nga LSDM.
Këshilli Gjyqësor, LSDM: Të ndërtohet një konsensus mbipartiak
Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Alekasandar Kambovski, vlerëson se në bazë të ligjit aktual, shkarkimet e anëtarëve bëhen në Këshillin Gjyqësor. Ai edhe paraprakisht kishte deklaruar se nuk e mbështet idenë që Kuvendi të mund të shkarkojë anëtarë të Këshillit Gjyqësor, pasi që kjo sipas tij do t’i mundësonte çdo pushteti të ardhshëm që t’i ndërrojë anëtarët e Këshillit.
“Sa i përket procedurës për shkarkimin e Këshillit, vendi i vetëm është ai që parashihet në ligjin për Këshillin Gjyqësor. Iniciativa mund të dërgohen deri tek Kuvendi, secili e ka këtë të drejtë. Të gjithë në këtë shtet punojmë në bazë të Ligjit dhe Kushtetutës dhe nuk kanë arsye të dyshoj se edhe Kuvendi dhe Qeveria punojnë në bazë të atyre parimeve.”, - u shpreh kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski
Anëtarët e përcaktuar me termin “jurist të shquar” në Ligjin për Këshillin Gjyqësor janë anëtarët e zgjedhur nga Kuvendi. Aktualisht në Këshill si "jurist të shquar" janë: Vesna Dameva, Pavlina Cërvenkovski, Selim Ademi, Milazim Mustafa dhe Tanja Çaçarova Ilievska.
FLORIJE KAMBERI
