Ekonomi
Revizion i brendshëm në Ministrinë e Ekonomisë, Durmishi: Janë konstatuar një sërë shkeljesh
06.02.2025 15:01
Keq qeverisje, mungesë e transparencës dhe një sërë shkeljesh të procedurave administrative dhe ligjore...

Keq qeverisje, mungesë e transparencës dhe një sërë shkeljesh të procedurave administrative dhe ligjore janë konstatuar gjatë udhëheqësisë paraprake nga revizioni të cilin e ka angazhuar qeverisja e re në Ministrinë e Ekonomisë, njoftoi ministri, Besar Durmishi, sipas të cilit, shkelje të shumta janë bërë në procedurën e furnizimeve publike.
“Në vitin 2021 është bërë furnizimi i Softverit për menaxhim të aplikacioneve nga persona fizikë dhe juridikë për nevojat e ministrisë në vlerë prej 2 milionë e 490 mijë denarë, por i njëjti nuk është në funksion dhe nuk ka asnjë shpjegim ose raport se pse nuk është vënë në funksion ky Softver. Po ashtu në vitin 2022 është nënshkruar kontratë për furnizim publik për punë ndërtimore në lidhje me ndërtimin e Linjës infrastrukturore dhe rrethojat e parcelave në lokacionin Manastirec në Makedonksi Brod dhe në lokacionin Amzabegovoi, Sveti Nikole, në shumë prej 25 milionë denarë ( 400 mijë euro). Nga ana e revizionit janë konstatuar disa lëshime.”, - deklaroi ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi.
Sipas Durmishit, revizioni ka konstatuar parregullsi edhe në angazhimin e personave me kontratë në vepër, si dhe në shfrytëzimin e veturave zyrtare.
“Po ashtu pas një procedure të veçantë administrative kemi informacione se buxheti i shtetit është dëmtuar për 127.721.000.00 denarë ose përafërsisht 2 milionë euro, si rezultat i mosmarrjes së masave nga ana e komisioneve të ministrisë në periudhën prej vitit 2019 e deri më 2023.”, - theksoi ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi.
Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, publikisht fton organet kompetente të shqyrtojnë raportin e revizionit dhe të gjithë ata që kanë bërë shkelje ose kanë abuzuar me ligjin, të japin llogari.
ARMEND MURSELI
