Përplasjet në BFI, myftinjtë e Maqedonisë lindore mbështesin Rexhepin
Vazhdojnë reagimet pas incidenteve të fundit në BFI. Duket se grupi që kundërshton udhëheqjen aktuale të BFI-së nuk e ka mbështetjen as brenda imamëve të rrethinës së Shkupit...

Në mbështetje të kreut të institucionit më të lartë islam në vend ka dalë sot edhe myftiu i Kondovës, Nevzat Ahmeti, i cili bashkë me imamë të tjerë nga Shkupi kundërshton ashpër veprimin e myftiut, Ibrahim Shabanit.
“Jemi këtu për të demonstruar kompakticitetin si imamë dhe t’ua bëjmë me dije të gjithëve që nuk lejojmë përçarje në mësim e myslimanëve të Shkupit. I dënojmë të gjitha aktet e dhunës. Ju bëjmë me dije se fuqishëm qëndrojmë pas vendimeve të Rijasetit të Bashkësisë Fetare Islame dhe rejis haxhi Sulejman efendi Rexhepit, si dhe respektojmë Kushtetutën e Bashkësisë Fetare Islame dhe të gjithë aktet normative të saj. Çdo përpjekje që është në kundërshtim me kushtetutën e BFI-së dhe organit më të lartë të Rijasetit për ne është pa pranueshme”- deklaroi myftiu i Kondovës, Nevzat Ahmeti.
Në mbështetje të Sulejman Rexhepit dolën sot edhe myftinjtë dhe hoxhallarët e Maqedonisë lindore, që u mblodhën në një takim të jashtëzakonshëm në Shtip.
Para selisë së BFI-së edhe sot në mëngjes janë mbledhur mbështetësit e myftiut të shkarkuar të Shkupit, Ibrahim Shabanit.
Ata vazhdojnë të akuzojnë kreun e BFI-së, Sulejman Rexhepin, se ka punuar kundër Kushtetutës dhe Rregullores së Punës së BFI-së dhe vlerësojnë se nuk është më kryetar legjitim i këtij institucioni fetar. (Rexhep Qamili, TVM2)
