Ekonomi
Sërish bojkot i marketeve, Durmishi: Deri të hënën do të shpallen masat
06.02.2025 15:57
Qytetarët sërish kanë paralajmëruar se do të bojkotojnë supermarketet edhe gjatë kësaj të premte...

Qytetarët sërish kanë paralajmëruar se do të bojkotojnë supermarketet edhe gjatë kësaj të premte, por kësaj radhe me mundësi vazhdimi deri të hënën. Ndërkohë Ministria e Ekonomisë më së voni deri të hënën do të shpallë masa për çmimet e produkteve ushqimore bazë, arsye kjo e cila ka qenë edhe shkaku kryesor që qytetarët organizojnë bojkot ndaj tregjeve më të mëdha.
“Shumë shpejt do të ketë një brifing me gazetarët, ku do të njoftoheni për masat të cilat do t’i ndërmarrim. Është legjitime dhe e drejtë e qytetarëve, që të ketë bojkot. I kuptojmë dhe normalisht e përkrahim këtë iniciativë. Tregtarët, kuptohet jo të gjithë, kanë bërë rritjen e çmimeve, kështu duke e dëmtuar buxhetin e qytetarëve, duke i rritur çmimet pa ndonjë arsye apo logjikë apo edhe bazë ekonomike.”, - deklaroi ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi.
Mickoski: Me dialog të tejkalohet situata
Nga ana tjetër, edhe kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski, theksoi se e kupton mllefin e qytetarëve dhe vendimin për bojkot. Ai tha se pret që përmes dialogut, prodhuesit, distributorët, tregjet dhe konsumatorët të ulen së bashku për të biseduar dhe për të kapërcyer gjithçka që po ndodh, në mënyrë që të mos ketë përshkallëzime dhe të mos ketë pasoja të mëdha.
“Unë kam thënë se e kuptoj revoltën e qytetarëve, po ashtu theksoj se pres që përmes rrugës së dialogut, që do të zhvillohet në mes prodhuesve, distributorëve, marketeve, por edhe shpenzuesve apo qytetarëve, që të ulemi dhe të bisedojmë dhe ta tejkalojmë këtë që po na ndodh sot në vendin tonë, me të vetmin qëllim që mos të kemi ndonjë eskalim dhe pasoja më të gjera për të gjithë shoqërinë.”, - theksoi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
Ai vuri në dukje se disa operatorë ekonomikë e keqpërdorin rolin e tyre në treg dhe për këtë mendon se në një dialog mund të tejkalohen edhe këto pengesa.
FITIM KRYEZIU
