Botë
Zgjedhjet në Kosovë, 23 kandidatë për deputetë kanë probleme me ligjin
06.02.2025 16:16
Tre subjekte politike që garojnë për zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë...

Tre subjekte politike që garojnë për zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, koalicioni AAK-Nisma dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë përfshirë në listat e tyre gjithsej 23 kandidatë, që kanë probleme me ligjin. Këto të dhëna janë publikuar në raportin “Integriteti i kandidatëve, sundimi i ligjit dhe qeverisja e mirë: të realizuar nga Lëvizja FOL, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Iniciativa për Progres INPO. Sipas këtij raporti, Lëvizja Vetëvendosje ka numrin më të madh me 14 kandidatë, të cilët kanë probleme me ligjin, koalicioni AAK-Nisma ka përfshirë tetë kandidatë dhe LDK një kandidat.
“Nga 23 kandidatët për deputetë me probleme ligjore, 16 prej tyre përballen me aktakuza aktive, ndërsa tetë kanë dënime të formës së prerë. Në total, ndaj këtyre kandidatëve janë ngritur 20 aktakuza për 21 vepra penale, që përfshijnë veprat penale të korrupsion, si “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.”, - deklaroi Burbuqe Kastrati nga Lëvizja FOL.
Njëherit u theksua se nga 28 subjekte politike, vetëm 13 prej tyre kanë program politik për zgjedhjet e vitit 2025.
“VV ka prezantuar një program prej 63 faqe, i ndarë në 25 kapituj. PDK ka një program prej 62 faqesh, që ndërtohet ne pesë shtylla kryesore. LDK ka prezantuar një program prej 248 faqesh dhe një listë prej 22 pikave kryesore. AAK ka një listë me programin prej 101 faqesh.”, - theksoi Arbër Kadriu nga INPO.
Ndryshe këtë të diel 2 milionë e 75 mijë e 868 votues, me të drejtë vote në Kosovë do të mund të votojnë në zgjedhjet parlamentare për njërën nga partitë që garojnë me listat e tyre për deputet dhe kandidatët e tyre për kryeministër. Në bllokun e partive shqiptare garojnë Lëvizja Vetëvendosje me kandidatin e saj për kryeministër, Albin Kurti; PDK me kandidatin e saj, Bedri Hamza; LDK me Lumir Abdixhikun, koalicioni AAK-Nisma me Ramush Haradinajn dhe Lista për Familjen me kandidatët e saj për deputetë.
GYLTENE SINANI
