Botë
ShBA, demonstrata kundër politikave të Trampit
06.02.2025 16:40
Mijëra njerëz dolën në rrugë nëpër qytetet amerikane, të pakënaqur me vendimet e administratës së re të presidentit, Tramp....

Mijëra njerëz dolën në rrugë nëpër qytetet amerikane, të pakënaqur me vendimet e administratës së re të presidentit, Tramp. Protestuesit kundërshtojnë politikën e imigracionit, heqjen e të drejtave të transgjinorëve, ndalimin e USAID-it dhe rolin e Elon Muskit në Qeveri.
“Në fund të fundit, ne jemi një vend imigrantësh”. Emigrantët e ndërtuan këtë vend ashtu siç është dhe ne nuk mund t'ua kthejmë shpinën njerëzve që ende kontribuojnë për këtë vend.”, - tha një protestues.
“Pra, në esencë, Donald Trampi dhe Elon Musku po e kthejnë vendin tonë në një oligarki të vogël, në mbretërinë e tyre të vogël dhe ne jemi këtu për të thënë se absolutisht nuk e duam këtë.”, - tha një tjetër protestues.
Propozimi për transferimin me forcë të palestinezëve nga Rripi i Gazës është pritur gjithashtu me kundërshtime nga 50 vende, ku organizohen protesta. Sekretari amerikan i Shtetit, Rubio, thotë se shefi i Shtëpisë së Bardhë ka propozuar vetëm një largim të përkohshëm të palestinezëve nga Gaza derisa Rripi të pastrohet dhe të rindërtohet dhe jo një marrje të territorit nga ShBA-ja.
“Ajo që njoftoi presidenti Tramp është një ofertë, gatishmëria e Shteteve të Bashkuara për t'u bërë përgjegjëse për rindërtimin e asaj zone. Meqë ra fjala, ka municione të pashpërthyera, ka të gjitha llojet e armëve të Hamasit, ende të groposura nën tokë. Që njerëzit të mund të jetojnë të sigurt në atë vend, e gjithë kjo duhet të hiqet. Është ky një hap i madh.”, - theksoi sekretari shtetëror i ShBA-së, Marko Rubio.
Izraeli thotë se nuk ka asgjë të keqe me propozimin, por ideja është dënuar nga vendet arabe dhe komuniteti ndërkombëtar.
“Ne duhet të riafirmojmë zgjidhjen me dy shtete. Çdo paqe e qëndrueshme do të kërkojë përparim të prekshëm, të pakthyeshëm dhe të qëndrueshëm drejt një zgjidhjeje me dy shtete, fundin e okupimit dhe krijimit të një shteti të pavarur palestinez me Gazën si pjesë integrale.”, - deklaroi sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes ka deklaruar se Pentagoni është i gatshëm të shqyrtojë të gjitha opsionet në lidhje me Gazën. Aktualisht po zhvillohen negociata midis Izraelit dhe Hamasit për fazën e dytë të armëpushimit për kthimin e pengjeve të rrëmbyer më 7 tetor 2023, në këmbim të të burgosurve palestinezë.
FLUTURA LATIFI
