Rajon

Zgjedhjet në Kosovë, nesër votohet në përfaqësitë diplomatike

07.02.2025 13:55

20 mijë e 324 shtetas të Kosovës, të cilët jetojnë jashtë vendit dhe gjatë regjistrimit kanë zgjedhur të votojnë në vendet përkatëse...

20 mijë e 324 shtetas të Kosovës, të cilët jetojnë jashtë vendit dhe gjatë regjistrimit kanë zgjedhur të votojnë në vendet përkatëse, nesër, më 8 shkurt, do të mund të realizojnë të drejtën e tyre. Votimi do të realizohet nëpër ambasada dhe përfaqësi diplomatike. Edhe Ambasada e Kosovës në Shkup gjatë së shtunës do të shndërrohet në një vendvotim. Votuesi identifikohet përmes dokumentit identifikues të lëshuar nga Republika e Kosovës, si: letërnjoftim, pasaportë ose patentë shoferi.
 
“Këto zgjedhje e gjejnë Kosovën në një stad të zhvilluar ekonomik në krahasim me vitet tjera, por edhe në aspekt sigurie. Është bërë lëvizje edhe në shtrirjen e ligjit në pjesën veriore të vendit. Është me rëndësi të kemi qeveri që do të ketë legjitimitet dhe do t’i çojë përpara agjendat e nisura, por edhe të rejat.” - thotë për TVM2 ambasadori i Kosovës në vendin tonë, Florian Qehaja. 
 
Sipas tij, pas zgjedhjeve pritet avancimi i marrëdhënies me RMV-në dhe operacionalizimi i pikave të përbashkëta kufitare që pritet të rregullohet brenda pak javëve, po ashtu marrëdhëniet e mira me Shqipërinë dhe Malin e Zi. 
 
“Serbia vijon të mos zbatojë Marrëveshjen e Brukselit dhe Marrëveshjen e Ohrit. Kërkesat ndërkombëtare i kemi pranuar dhe jemi ithtarë të zbatimit simetrik. Mendoj se edhe qeveria e re do të jetë në funksion të zbatimit të këtyre marrëveshjeve. Me qëllim final, njohjen reciproke mes Kosovës dhe Sigurisë është si parakusht për stabilitet rajonal.”, - thekson ambasadori i Kosovës në RMV, Florian Qehaja.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU