Maqedoni
Sërish paralajmërime për bomba në shkolla, në Butel u shqetësuan 7 nga 8 shkolla
07.02.2025 14:14
Në Komunën Butel, shtatë nga tetë shkolla fillore kanë marrë në e-mail paralajmërime për bombë....

Nxënësit e shkollës fillore “Petar Zdravkovski - Penko” në lagjen Çair të Shkupit u zgjuan, shkuan në shkollë, por 45 minuta më vonë u kthyen në shtëpi, pasi që në e-mail-in zyrtarë të kësaj shkolle, para orës 08:00 të mëngjesit arriti paralajmërimi se është vendosur bombë. Ata menjëherë u evakuuan nga objekti shkollor, ndërsa autoritet e shkollës thirrën policinë. Pas kontrollit të detajuar të MPB-së u konstatua se ishte paralajmërim i rrejshëm, njëjtë siç u ishte dërguar shkollave të tjera në kryeqytet.
“Ky është paralajmërimi i parë për vendosjen e bombës së rrejshme në shkollën fillore “Petar Zdravkovski – Penko” për vitin shkollor 2024/2025. Edhe gjatë vitit shkollor 2022/2023 kjo shkollë ka qenë caku i këtyre paralajmërimeve të rrejshme.”.
Përveç në këtë shkollë, paralajmërime të njëjta për bombë u është dërguar përmes postës elektronike edhe të 7 shkollave të tjera fillore në komunën e Butelit. Kjo ishte e mjaftueshme që kryetari i komunës se Butelit, Darko Kostovski, të thërret mbledhjen urgjente me drejtorët e shkollave në këtë komunë. U bënë thirrje prindërve dhe qytetarëve të kësaj komune për qetësi.
“Më vjen shumë keq që po përsëriten ngjarjet e njëjta të para dy viteve. Fatmirësisht bëhet fjalë për paralajmërime të rrejshme, mirëpo ajo që më brengos është fakti që prej gjithsej 8 shkolla fillore, shtatëve u është dërguar e-maili i rrejshëm për bomba. Vetëm tek shkolla fillore “Zhivko Brajkovski” nuk kishte ardhur paralajmërim për bombë. E përshëndes reagimin e shpejtë të MPB-së dhe u kisha bërë thirrje të gjithë prindërve për qetësi, pasi që nga kjo që shohim fatmirësisht bëhet fjalë për paralajmërime të rrejshme dhe njëjtë siç kishte ndodhur para dy viteve.”. – deklaroi kryetari i komunës së Butelit, Darko Kostovski.
Pas kontrollit policor të objekteve shkollore, nxënësit e këtyre shtatë shkollave të ndërrimit të parë në këtë komunë u janë kthyer bankave dhe pa pengesa është zhvilluar edhe procesi edukativo-arsimor edhe gjatë ndërrimit të dytë në gjitha shkollat. Autoritet shpresojnë se këto paralajmërime nuk do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim dhe se pas kësaj nuk qëndron prapavijë politike për të defokusuar vëmendjen e opinionit nga çështjet kryesore.
REXHEP QAMILI
