Maqedoni
Aksidentet fatale në trafik, Kuvendi dhe ekzekutivi shqyrtojnë situatën
07.02.2025 14:41
Gjatë vitit 2024, 142 persona kanë humb jetën në aksidente trafiku. Edhe ky vit nisi me disa aksidente fatale....

Në Komisionin parlamentar për Sistemin Politik dhe Marrëdhëniet Ndërmjet Bashkësive është zhvilluar debat publik me temë: “Analiza dhe konstatimi i nevojës për ndryshimin e rregulloreve ligjore, me qëllim të forcimit të sigurisë në komunikacion”. Në këtë seancë morën pjesë ministri i Punëve të Brendshme, përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, Këshilli Republikan për Siguri Rrugore, gjyqtarë, prokurorë publikë, organizata joqeveritare, media dhe aktorë të tjerë shoqërorë. Ky debat është iniciuar pas rastit të Frosina Kullakovës, 22-vjeçares nga Negotina, e cila u përplas nga një veturë i drejtuar nga 20-vjeçari, Vasil Jovanov, nga Shkupi, më datë 29 janar në Shkup, ku pas goditjes Frosina ndërroi jetë.
Ministri i MPB-së, Toshkovski, tha se rasti i Kullakovës na kujton edhe për një të vërtetë të zymtë dhe kjo është që në 2024-tën humbëm 142 jetë në aksidente trafiku.
“Kur sistemi përcjellë porosi se rregullat nuk vlejnë për të gjithë njëlloj, atëherë do të fitojmë gjenerata të cilët besojnë se mund të bëjnë çka të duan, edhe atë pa pasur asnjë pasojë. Por, ky shembull duhet të ndalet dhe ligjet nuk duhet të jenë vetëm të shkruara në letër, por ato të respektohen.”, - deklaroi ministri i MPB-së, Pançe Toshkovski.
“Është e nevojshme që të iniciohen ndryshime ligjore, ku do të zgjerohet lista e veprave penale kundër sigurisë në komunikacion. Duhet ndryshim i veprave të rënda penale, të cilat nënkuptojnë rrezik të jetës dhe pasurisë së personave, si dhe përfshirja e mos ofrimit të ndihmës së parë ndaj personave të cilët janë lënduar në fatkeqësi komunikacioni.”, - theksoi ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov.
“Këshilli Republikan po angazhohet për ngritjen e përgjegjësisë, duke ngritur nivelin e përgjegjësisë tek të gjitha subjektet, lehtësim të procedurave të gjata deri tek realizimi i politikave për gjykim, si dhe shqiptimi i sanksioneve të duhura nga ana e Gjyqësorit për personat që kanë thyer rregullativën ligjore.”, - theksoi kryetari i Këshillit Republikan për Siguri në Trafik Rrugor, Goran Angellovski.
Sipas ministrit, Toshkovski, zyrtarë policorë po hasin për çdo ditë persona të cilët ngasin veturën edhe pse asnjëherë në jetën e tyre nuk kanë pasur lejen e vozitjes. Sipas tij, vetëm në vitin 2022, policia ka shqiptuar 16.359 dënime për drejtim të automjetit pa leje të vozitjes, ndërsa ky numër në vitin 2023 ka shkuar në shifrat alarmante të 19.885 veprave, në vitin 2024 janë shqiptuar plot 19 mijë vepra të tilla. Sipas Toshkovskit, në vitin 2024 humbën jetën plotë 142 persona në aksidente trafiku.
FITIM KRYEZIU
